• Sun. Jan 23rd, 2022

AL2

…është media jote

Pejiç rrëfen planet e merkatos së Kukësit: Do të marrim…

Byadmin

Jan 2, 2022

Nëse Kukësi është i dyti në kampi onat dhe ende në garë për titullin kampion, një meritë të veçantë e ka edhe ai që e kompozoi këtë skuadër me afrimet e bëra gjatë verës. Bëhet fjalë për drejtorin sportiv, Pero Pejiç, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” flet për ecurinë e verilindorëve gjatë këtij kampionati, si edhe për merkaton që kanë menduar të bëjnë. Pejiç kërkon patjetër tre lojtarë në çdo repart, ndërsa ka një peng që nuk morën dot fitoren në ndeshjen me Skënderbeun. Ish-bomberi i kësaj skuadre pohon se me futbollin që luan Kukësi tani, do t’i kishte shënuar të paktën pesë gola edhe në këtë moshë.

Pero, sa i kënaqur jeni me paraqitjet e skuadrës deri tani?

Jam shumë i kënaqur, pasi me këta djem kemi marrë shumë rezultate të mira deri më tani. Jemi në vendin e dytë, pesë pikë më pak se Tirana, por asgjë nuk ka mbaruar, pasi ka ende shumë pikë në lojë. Jam i kënaqur si me lojën edhe me rezultatet.

A mund ta konsiderojmë Kukësin si skuadrën surprizë apo e prisnit këtë ecuri?

Tani kemi një lojë ndryshe, me një lojë në tokë me shumë kombinime dhe jo me topa të gjatë. Jemi mirë, por asgjë nuk ka mbaruar, sepse ka ende kampionat. Po punojmë për t’u përforcuar në merkato.

Cila ka qenë ndeshja e këtij viti që ju ka mbetur peng që nuk morët dot rezultatin pozitiv?

Ndoshta kundër Skënderbeut nuk kemi bërë mirë, sepse në momentin që korçarët ishin në vendet e fundit, nuk e nisëm mirë dhe bëmë shumë gabime. Ndoshta shumica e lojtarëve ishin të bindur që do të fitonin 100 për qind, por në Shqipëri është një kampionat i fortë dhe nuk ka ndeshje të lehta. Kjo është ndeshja më e keqe nëse mund ta them kështu.

Në verë bëtë shumë afrime, cili mendoni se ka qenë më i godituri?

Thuajse të gjithë ata që kanë ardhur në verë kanë bërë paraqitje të mira. Basha, Milunoiviç, Puntus, Ndreca, Sh.Taipi, Hila etj., të gjithë nuk kam se kë të veçoj. Jam i kënaqur, sepse kanë treguar se janë lojtarë me karakter që po tregojnë se mund ta fitojnë titullin. Karakteri është i rëndësishëm për mua te një lojtar.

Keni piketuar me trajnerin ndërhyrjet që mund të bëni në merkaton e janarit?

I kemi të qarta ato që kërkojmë, ku synojmë një lojtar në sulm, një në mesfushë dhe një në mbrojtje. Jemi të kënaqur edhe me këta që kemi, por do të shohim nëse do t’i marrim dot këta tre lojtarë, të cilët duhet të jenë të afirmuar, pra jo thjesht për t’i pasur në organikë, por të bëjnë diferencën. Jam në kontakt me trajnerin dhe me presidencën dhe do shohim tani, sepse jemi në bisedime.

Ku mendoni se skuadra ka më shumë nevojë për përforcime?

Një mbrojtës e shoh të domosdoshëm, pasi në fillim patëm pak probleme, ndërsa në ndeshjet e fundit ishim mirë. Çështja është se në qoftë se dikush na dëmtohet apo merr karton, nuk kemi zëvendësues dhe duhet ta shohim këtë gjë. Por, me tre lojtarë në secilin repart, mendoj se bëhemi shumë mirë.

Shumë lojtarë nuk janë preferuar nga Longo këtë pjesë të kampionatit, po mendoni edhe për largime?

Më parë është e rëndësishme të shohim kë do të marrim dhe më pas mund të flasim për largime. Nëse nuk afrojmë, atëherë nuk kemi se çfarë të largojmë, ndoshta edhe nuk largohet asnjë, nuk është e thënë. Por, do shohim sesi do të vijojë merkatoja.

Keni ndonjë këshillë për sulmuesit?

Basha, Feizhao, Milunoviç nuk janë sulmues tipikë, një numër 9 si puna ime dikur. Janë lojtarë krahu, nga prapa sulmit, por po shënojnë shumë dhe kanë bërë një punë të mirë. Por duhet një lojtar tipik në sulm për golat, sepse sulmuesi duhet t’i shënojë ata dhe jo mbrojtja. Po bisedoj me dytre dhe nëse pranojnë, do të mbarojë shumë shpejt.

Me këtë futboll ofensiv që bën Longo, sa gola mendoni se do të shënonit në kampionat po të ishit në kohën tuaj?

Personalisht do të kisha shënuar shumë gola, sepse sot Kukësi luan një futboll shumë të mirë në krah dhe krijon shumë raste. Edhe tani mund të shënoja 4-5, jam i sigurt për këtë, sepse shënohet shumë lehtë kur të vjen topi në zonë. Në kohën time do të ishte shumë e lehtë për të shënuar me këtë futboll, sepse i krijohen shumë mundësi sulmuesit për të shënuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *