• Thu. Dec 2nd, 2021

AL2

…është media jote

Jonuzi: Ju tregoj çfarë më ka thënë Brdariç para golit me Dinamon….

Byadmin

Oct 21, 2021

Mesfushori i Vllaznisë, Fjoart Jonuzi, ka shënuar golin më të bukur në Superiore deri më tani këtë sezon. Në takimin kundër Dinamos, 25-vjeçari realizoi golin e pestë për ekipin shkodran, duke i shtangur të gjithë në stadium me kryeveprën e tij.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Jonuzi u shpreh se nuk e priste një gol të tillë, tregoi bisedat që ka pasur me Brdariç, si dhe objektivin e Vllaznisë, ku thotë se besimi është i madh për titullin kampion.

Fjoart, shënuat një supergol në një sfidë tepër delikate. E prisnit që goli i parë juaji për këtë sezon të ishte një kryevepër?

Të jem i sinqertë, nuk e prisja, pasi është një gol që nuk shënohet shpesh dhe shumë i vështirë në realizim. Është gol i veçantë dhe nuk realizohet zakonisht, prandaj jam shumë i lumtur që u shënua, jo vetëm për golin në vetvete, por edhe për faktin që ndihmoi ekipin të fitojë, pasi në atë moment ishim në presion pasi rezultati ishte 4-3. Jam shumë, shumë i lumtur, edhe për golin, edhe për fitoren.

A ju motivon ky gol për të provuar më shpesh të realizoni në një mënyrë të tillë?

Normalisht, është një motiv i veçantë ai gol, pasi më ndihmon edhe në ndeshjet e ardhshme. Pse jo, të mos shënoj gola të tjerë të tillë dhe të bëj performanca të mira. Jam shumë i lumtur dhe vetëm me punë duam të vazhdojmë kështu dhe të arrijmë objektivat.

Jeni një lojtar që shquheni për goditje nga distanca, por golat ju kanë munguar. A mendoni se duhet ta rritni dozën e gjuajtjeve drejt portës?

Është e vërtetë, goditjet nga distanca është arma ime më e fortë. Edhe sezonin e shkuar, e kam provuar shpesh portën, por kam qenë i pafat, sepse disa herë kam goditur shtyllat dhe kam qenë shumë pranë golave. Edhe shokët e ekipit më kërkojnë që të provoj nga distanca të godas portën, edhe stafi teknik më ka ngacmuar me batuta, duke më thënë se kur të bëj gol unë, ata do të jenë më të lumturit. Më kanë motivuar gjithmonë që të jap maksimumin dhe të shënoj gola të tillë, por që tani jam i lumtur sepse shënova, tani dua që ta provoj sa më shumë portën dhe të shënoj.

U shprehët që stafi ju ka motivuar shpeshherë, madje pas golit kundër Dinamos, i gjithë stoli erdhi për të festuar me ju. Ju tha ndonjë gjë trajner Brdariç gjatë festës?

Në fakt, ka kohë që trajneri më shtyn të provoj portën dhe të shënoj, më ka dhënë shumë besim. E falënderoj shumë. Ishte një festë e madhe aty, nuk mbaj mend asgjë çfarë u tha. Ishte një ndjesi e veçantë, dua të falënderoj edhe tifozët për atmosferën që krijuan në stadium, ishte fantastike.

Tani mund të konsideroheni si një ndër veteranët te Vllaznia, pasi po luani sezonin tuaj të dytë. Mund të na tregoni diferencën e kësaj Vllaznie me ekipin e sezonit të shkuar?

Mund të them se jemi më të fortë se vjet, duke parë edhe afrimet e reja. Kemi më shumë cilësi, tani njihemi edhe më mirë me njëri-tjetrin, pasi një grup jemi edhe nga sezoni i shkuar. Kemi edhe eksperiencën e vjetshme shumë të mirë, kur dolëm nënkampionë dhe fituam Kupën. Kemi më shumë besim dhe jemi më të fortë se vjet.

Sezonin e shkuar i shkuat shumë pranë titullit. Tani pohoni se jeni më të fortë se edicionin e shkuar. Mund ta fitoni kampionatin?

Kemi shumë besim, e shoh edhe te grupi, edhe te stafi, shtyjmë njëri-tjetrin çdo ditë kur punojmë. Kemi edhe cilësi, i kemi treguar në ndeshjet e deritanishme. Mund të them që do ta provojmë titullin deri në fund dhe me punë besoj se mund t’ia dalim.

Cilat skuadra i konsideroni si rivale për titullin kampion?

Ky do të jetë një kampionat shumë i luftuar. Me ardhjen e Dinamos, është shtuar edhe një ekip që ka investuar shumë për t’u shpallur kampion. Janë shumë ekipe rivale, Tirana, Kukësi, Teuta, Partizani, por edhe Laçi, që mendoj se do ta marrë veten me kalimin e ndeshjeve dhe do të jetë në luftë deri në fund. Ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe të marrim maksimumin.

A mund ta shohim Jonuzin në të ardhmen me fanellën e qytetit të vet, Kukësit?

Kurrë nuk i dihet sporti, ne futbollistët jemi me valixhe në duar çdo vit. Normalisht, si kuksian që jam, ndoshta do të vijë një ditë që të rikthehem te Kukësi, por për momentin, jam i fokusuar te Vllaznia. Dëshira është që të kap një ekip jashtë, në vazhdim të shikojmë se çfarë do të ndodhë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *