• Sat. Nov 27th, 2021

AL2

…është media jote

ABISSNET SUPERIORE/ Skuadrat pretendente “përplàsin brirët”, zbùloni duélet e “zjàrrta” të ditës së sotme

Byadmin

Oct 17, 2021

“Air Albania” hap dyert për kampionatin, me një superfidë të denjë për ta bërë atmosferën edhe më të nxehtë në komoditetin e impiantit të ri. Luhet Partizani-Kukësi, përballje pretendentësh dhe e një rivaliteti të fortë në këto vitet e fundit. Të dyja skuadra kërkojnë fitoren.

Partizanit të Ilir Dajës i ka munguar shkëlqimi dhe edhe rezultatet në këto 4 javë të parë. Vetëm 3 pikë janë shumë pak për një skuadër me objektiva madhorë, në kërkim të fitores së parë, me të kuqtë që më në fund, në kryeqytet, pritet të kenë edhe një shtysë më shumë, një numër më të madh tifozësh në mbështetje të tyre.

Daja ka rikuperuar Kacen, Mustën dhe Sten Zhunior që i projekton titullarë, ashtu si dhe Markun, me trajnerin që pret që ditët e pauzës të kenë shërbyer për të gjetur sidomos më shumë cinizëm në sulm, aty ku Partizani ka rendimentin më të dobët në këtë fillim kampionati, vetëm 3 gola në më shumë se 360 minuta lojë.

Për Kukësin, ditët e pushimeve nuk kanë qenë dhe aq të qeta. Deklaratat e Diego Longos pas humbjes me Teutën lanë vend për interpretimin e një largimi të mundshëm të italianit nga stoli, por drejtuesit e kanë blinduar, duke zgjedhur të vazhdojnë me të. Argumentet nuk u mungojnë, Kukësi shpreh një futboll sulmues, prodhon lojë dhe shënon me bollëk, edhe pse në dy ndeshjet e fundit ka konstatuar brishtësi në mbrojtje.

Trajneri ka sjellë një futboll argëtues dhe tanimë është rikthyer për të vazhduar një projekt që premton, ndaj Partizanit për Kukësin e tij është momenti i duhur për të shprehur vlerat e një skuadre pretendente.

Tirana përballë Teutës dhe Koronavirusit. Është tema e paevitueshme e kësaj ndeshjeje, me klubin bardheblu të kthyer dy javë më parë në një vatër infektimi. Ismailgeci, Hoxhallari, Seferi, Ngoo, Gjumsi, Ilion Lika si dhe dy anëtarë të stafit teknik kanë qenë të infektuar, një situatë e pazakontë që shtyu klubin më kot të kërkonte shtyrjen e ndeshjes, e cila u refuzua.

Futbollistët tanimë e kanë kaluar sëmundjen, por forma fizike pas një sëmundjeje të tillë nuk mund të vijë menjëherë dhe vështirë se mund të jenë gati për të luajtur menjëherë pas saj 90 minuta, maksimumi mund t’ia dalë vetëm ndonjëri dhe Orges Shehit i duhet të thërrasë në ndihmë elementët e rinj.

Natyrisht, nuk është klima më e mirë për të luajtur një ndeshje të kësaj shkalle vështirësie. Teuta është bashkëkrysuese e klasifikimit, kampione në fuqi, në ndeshjen e fundit bëri një përmbysje të madhe ndaj Kukësit, dhe mbi të gjitha Edi Martini i ka të gjithë gati. Është rikuperuar dhe Lorenco Vila dhe po ashtu dhe Ivanovic, elementë që rrisin cilësinë dhe alternativat në një skuadër me shumë ekuilibër dhe ndaj së cilës është shumë e vështirë të shënosh.

Luhet në “Elbasan Arena”, terren thuajse neutral, dhe bregdetarët shohin mundësinë për t’u shkëputur në krye të klasifikimit, gjithmonë nëse i lejon një Tiranë që pavarësisht problemeve, beson se e ka forcën për t’i tejkaluar me një sukses që do t’i lançonte bardheblutë ashtu si duhet drejt derbit të madh me Partizanin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *