• Wed. Dec 1st, 2021

AL2

…është media jote

Analiza e statistikave/ Kumbulla e futi në “xhep”, Leva nuk ishte për “Topin e Artë” në Tiranë

Byadmin

Oct 15, 2021

Marash Kumbulla ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë në ndeshjen ndaj Polonisë. Edhe pse Kombëtarja nuk mori një rezultat pozitiv, mbrojtësi tregoi një nivel të lartë. Ai arriti të markonte një sulmues kalibri si Levandovski dhe ta bënte atë inekzistent në fushë.

NDESHJA MË E MIRË – Mbrojtësi u kritikua për paraqitjen e tij në ndeshjen e parë ndaj Polonisë ku nuk zhvilloi një lojë që i mbushën pritshmëritë e tij, pasi shqiptari është pjesë e skuadrës së Romës në Serinë A. Por në ndeshjen e së martës në Tiranë, ishte një meritë e tij që Levandovski hasi shumë vështirësi në fushë. Kumbulla mori përgjegjësitë e mbrojtjes dhe u përball pa frikë në çdo moment me një nga sulmuesit më të mirë në botë.

DUELI – Levandovski nuk arriti që të gjuante një herë në kuadratin e Etrit Berishës. Kjo edhe falë aftësive të 21-vjeçarit i cili ishte i vëmendshëm dhe i përqendruar në çdo moment dhe lexoi shumë mirë lëvizjet e Levës. Sipas faqes së statistikave “Sofascore”, Kumbulla në 90 minuta të luajtura ka bërë gjithsej pesë spastrime në zonë, gjithashtu nga gjashtë duele në ajër ai i ka fituar të gjitha. Ndërsa në tri duelet me Levandovskin ai ka dalë fitues duke e bllokuar sulmuesin e Bajernit.

Në anën tjetër, sa i përket statistikave të Levës, shohim që gjatë gjithë ndeshjes ka tentuar vetëm një herë të gjuajë në portë, por ajo gjuajtje është bllokuar nga Kumbulla. Edhe sa i përket driblimeve, një armë e fortë e polakut kjo, ai nuk arriti që të përmbushte një të tillë.

Gjithashtu, sulmuesi nuk arriti të kontrollonte disa herë topin pasi presingu i vazhdueshëm, më së shumti i Kumbullës, nuk ia mundësoi këtë gjë. Le të themi që kjo ishte një nga ndeshjet më të mira të mbrojtësit kuqezi me Kombëtaren shqiptare nën drejtimin e trajnerit Edi Reja.

HUMBJA – Jo vetëm Marashi, por edhe dy qendërmbrojtësit e tjerë, si Ismajli dhe Veseli dhanë një paraqitje të mirë në fushë. Por kjo nuk mjaftoi për të arritur një fitore ose barazim me Poloninë. Ishin shumë faktorë që ndikuan në këtë humbje të hidhur që na la pothuajse jashtë ëndrrës për në Botëror . Në ndeshjen ndaj Hungarisë ne humbëm një nga mbrojtësit më të mirë, por nuk ishte i gjithë problemi këtu, pasi Veseli e zëvendësoi denjësisht Gjimshitin.

Situata e krijuar nga COVID-i në ekipin përfaqësues la një boshllëk të madh në boshtin e skuadrës. Gjasula, Cikalleshi, Gjimshiti krijonin një bosht i cili u thye nga virusi dhe dëmtimet. Në stërvitjen e fundit u dëmtua edhe Ivan Balliu, i cili mund të bënte mirë. Polonia na gjeti në një moment të keq dhe mori më të mirën. Sa i përket ndeshjes, lënia në stol e Armando Brojës i çuditi pak të gjithë dhe aktivizimi në pjesën e dytë nuk rezultoi si me Hungarinë apo ashtu si trajneri Reja mendonte. Rasti i Rei Manajt në fillimin e takimit ishte një mundësi që duhet të shfrytëzohej, sidomos duke pasur parasysh gjendjen e ekipit, pak i demoralizuar nga dëmtimet dhe pak në tension për vendin e dytë, ai rast vlen shumë pasi në ndeshje të tilla përqendrimi është i lartë dhe nuk të jepet shumë lehtë mundësia sërish.

BURIMI: PANORMA SPORT

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *