• Tue. Nov 23rd, 2021

AL2

…është media jote

Skënderbeu u shpjegon tifozëve vendimin për lajmin e dénimit nga UEFA!

Byadmin

Sep 30, 2021

Dënimi I Skënderbeut nuk është me vite kualifikimi, por me vite kalendarike. Lajmi i “Panorama Sport” është konfirmuar tashmë edhe nga vetë klubi korçar, në një komunikim me tifozët në rrjetet sociale.

“Panorama Sport” bëri të ditur se në klub kishte ardhur përgjigje nga UEFA se vendimi i cili fillimisht ishte prodhuar në zyrat e kësaj organizate si “10 kualifikime në kompeticonet europiane”, tashmë ishte i regjistruar si një dënim me periudhë kohore 10-vjeçare. Kështu, korçarëve u mbeteshin edhe 5 vite për të shlyer përfundimisht atë dhe për të tentuar kthimin në Europë.

Për këtë çështje, tifozë të Skënderbeut kanë pyetur në rrjetet sociale klubin korçar rreth kësaj teme, duke marrë një përgjigje të qartë prej tij

“Dënimi është kalendarik, jo me pjesëmarrje”, ishte përgjigja që u erdhi tifozëve, duke bërë të qartë se tani në klubin korçar kanë përgjigjen e qartë nga UEFA për këtë dënim.

MUNDËSIA E SHPËRDORUAR

Pas dënimit të Skënderbeut nga UEFA me 10 vite dhe 1 milion euro gjobë për trukime të ndeshjeve, klubi korçar nisi manovrat për t’u mbrojtur. UEFA vendosi ta bënte shembull, por kishte një “merak”… Ishte hera e parë që po dënonte një klub kryesisht mbi luhatje koeficientesh dhe kalkulime matematikore, por pa pasur asnjë dëshmitar, asnjë regjistrim dhe asnjë të penduar.

Për herë të parë, UEFA dënoi një klub, por asnjë individ dhe pikërisht për këtë UEFA donte të shmangte ndonjë surprizë në KAS ose në Gjykatën Federale. Sepse, nëse Skënderbeu ia rrëzonte dënimin, atëherë do të kërkonte 32 milionë euro dëmshpërblim (njësoj sikur ta kishte fituar Championsin). Duke parë vendosmërinë e zyrtarëve të klubit korçar për ta ndjekur çështjen edhe në instanca të tjera, UEFA ofroi një “kompromis” gjatë kohës që çështja po shqyrtohej në Komisionin e Apelit.

“Ju pranoni fajin dhe ne shkurtojmë gjysmën e dënimit (nga 10 në 5 vite), por me kushtin që të mos apeloni në KAS ose në Gjykatën Federale”. Kjo ishte pak a shumë oferta e dytë e UEFA-s. Zyrtarët e Skënderbeut e refuzuan kategorikisht me shpresën se do të fitonin në KAS dhe do të merrnin edhe dëmshpërblim. Gjërat nuk shkuan siç e menduan ata. Nëse do ta kishin pranuar atë marrëveshje, sot Skënderbeu do ta kishte përfunduar dënimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *