• Wed. Dec 1st, 2021

AL2

…është media jote

Rikthehet futbolli në vend, ja sfidat e ditës së sotme në Kategorinë Superiore

Byadmin

Sep 25, 2021

Kampionët e vendit përballë një emri të madh të rikthyer në elitë me ambiciet maksimale. Teuta-Dinamo është një ndër sfidat më të rëndësishme të javës së tretë të Abissnet Kategoria Superiore. Bregdetarët e Edi Martinit e kanë nisur sezonin si duhet, pas triumfit në Superkupë, fitorja ndaj Partizanit dhe pastaj një barazim i arritur në inferioritet numerik në Shkodër.

Morali në kampin e Teutës është i lartë. Dinamo ndërkohë vjen në këtë sfidë me detyrimin për të reaguar. Pas barazimit me Laçin, ka ardhur befasia në Kupë përballë Erzenit, ku blutë u mundën 1-0, por gjithsesi kanë të gjitha mundësitë për ta përmbysur rezultatin në kthim.

E gjithë vëmendja është te kjo sfidë me Teutën, ambient i njohur për Bledi Shkëmbin që i ka drejtuar më parë bregdetarët dhe tani ka marrë misionin për të ringritur aty ku i takon Dinamon. Në kampin bregdetar, lajme të mira për Martinin, që ka rikuperuar mbrojtësin Ivanovic dhe ka të gatshëm edhe Plakun e vetmja mungesë ajo e Todorovskit të ndëshkuar me karton të kuq me Vllazninë, që me shumë mundësi mund t’i hapë dyert e formacionit titullar Hektor Idrizajt.

Për Dinamon është një sfidë rëndësia e së cilës rritet edhe për faktin se në takimin pasardhës vjen derbi i madh me Partizanin, një takim ku blutë natyrisht duan të shkojnë me frymën e duhur.

Kastrioti për pikën e parë këtë sezon, përballë një Tirane që i duhet të konfirmojë rritjen me një fitore përballë krutanëve. Në stadiumin e Kamzës bardheblutë e Orges Shehit kërkojnë rikthimin te fitorja, pas ngecjes që pësuan me Egnatian në kampionat. Pavarësisht ankesave për arbitrimin për 25 herë kampionët, ajo ishte një sfidë që shërben si leksion para një ndeshjeje si kjo me Kastriotin.

Trajneri e di mirë që, pavarësisht dy humbjeve të pësuara në dy ndeshjet e para, skuadra e Ndreut përfaqëson një kampionat të vështirë, ku rivaliteti është evident, dhe kryeqytetasve u duhet të japin maksimumin për të marrë tri pikët.

Lajmi i mirë për Shehin është gjendja pozitive e grupit sa i përket atmosferës dhe gjendjes fizike, me teknikun që i ka lojtarët të gatshëm për zgjedhjet më të mira. Te Kastrioti, ndërkohë, Ramazan Ndreu nuk mund të jetë i qetë në vigjiljen e kësaj përballjeje. Dhimbje koke sa i përket formacionit, pasi i duhet të presë deri në fund për të parë nëse disa lojtarë si Greca, Onanuga, Karakaçi apo Prodani do t’ia dalin për të qenë të gatshëm.

Sidoqoftë, për trajnerin e skuadrës krutane kjo është një nga ato sfida ku duhet dhënë gjithçka si grup, për të fituar pikën e parë të këtij kampionati, edhe pse Tirana është një kundërshtare e një tjetër niveli dhe për të tjera objektiva.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *