• Wed. Dec 1st, 2021

AL2

…është media jote

Moviola e javës së dytë / Rikthehen gabimet, arbitrat mohojnë tri penallti dhe e ka fajin edhe VAR-i

Byadmin

Sep 22, 2021

Sistemi VAR vijon të shpëtojë arbitrat nga gabimet apo të konfirmojë vendimet e drejta të gjyqtarëve në raste specifike. Por, në javën e dytë ka pasur edhe raste për moviolë që janë anashkaluar nga arbitrat e fushës dhe të dhomës VAR. Nëse në dy ndeshje teknologjia ishte OK, në Tirana-Egnatia, Kukësi-Kastrioti, Dinamo-Laçi, kemi nga një penallti të mohuar, pikërisht në favor të bardhebluve, krutanëve dhe dinamovitëve. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme dhe për moviolë në javën e parë të Superiores:

TIRANA-EGNATIA 1-1
Gjyqtarë: L.Alla, R.Malaj, M.Qose (Lushnjë)/ VAR: K.Barjamaj, D.Myftari (Tiranë)
Gjykimi i Laver Allës kishte dritëhijet e veta. Në fillim, arbitrit iu deshën 6 minuta për të anuluar golin e bardhebluve, ndërsa në fund të takimit me shumë mundësi Tiranës i është mohuar një penallti.


64’ Seferi nga jashtë zone godet dhe topi ndalet në rrjetë. Puja më parë kishte dalë jashtë zone duke dhënë iluzionin optik se kishte prekur topin me dorë, por goditja ishte me kokë. Alla vendos të konsultohet me VAR-in pas tri minutash komunikime me dhomën e transmetimit. Pas 6 minutash vlerësim, Laver Alla vendos për pozicion jashtë loje, pasi Xhixha është në rrezen e portierit dhe në pozicion të parregullt gjatë gjuajtjes së Seferit. Vendim i drejtë i kryesorit.


90+6’ Tirana kërkon penallti për një pengim në zonë të Ngosë nga ana e Krivanjevës. Gjyqtari vazhdon lojën dhe nuk futet në lojë as VAR-i. Pamjet filmike tregojnë se mbrojtësi i Egnatias ka mbajtur sulmuesin e Tiranës. Gabim i dyfishtë i gjyqtarit Alla dhe i VAR-it.

VLLAZNIA-TEUTA 1-1
Gjyqtarë: K.Barjamaj, D.Myftari (Tiranë), E.Ganxhi (Elbasan)/ Në VAR: E.Jorgji (Elbasan), R.Çokaj (Lezhë)
Tri herë ndërhyri VAR-i në këtë takim dhe në fund u morën vendime të drejta duke shpëtuar edhe gjyqtarët në fushë.
45’ Heriçi merr një top të gjatë pas shpinës së mbrojtjes durrsake. Todorovski, duke e parë që Heriç po shkonte i vetëm te porta, ndërhyn në mënyrë të gabuar. Fillimisht gjyqtari Bajramaj i jep karton të verdhë, por pas kontrollit të rastit në VAR, me të drejtë ka karton të kuq për Todorovskin. Vendim i drejtë, pasi Todorovski ishte mbrojtësi i fundit dhe ndaloi një aksion premtues për gol.


49’ Aralica pengohet në hyrje të zonës dhe gjyqtari akordon penallti. Por, pas 2 minutash e 30 sekondash pas konsultimit me sistemin VAR ka anuluar gjithçka duke dhënë një pozicion jashtë loje për Latifin. Edhe ky ishte një vendim i drejtë nga dhoma VAR.

90+8’ Çoba shënon, por goli është i pavlefshëm për pozicion jashtë loje. Ndërhyn sërish VAR-i, që pas kontrollit del që supi i Aralicës për punë milimetrash është më i avancuar se këmba e Selmanit. Rast specifik, por në këtë rast anësori ka vepruar drejt.

SKËNDERBEU-PARTIZANI 1-1
Gjyqtarë: F.Lata, F.Lama, R.Mersinasi (Durrës)/ VAR: J.Xhaja, R.Avdo (Tiranë)
Ky takim pati një episod, penalltinë e dhënë në favor të “demave”. Në minutën e 52- të, Cara merr një top nga e djathta dhe i drejtohet portës. Pasi driblon dy lojtarë, sulmuesi i Partizanit pengohet nga Mara i Skënderbeut, por për gjyqtarin, nuk ka 11- metërsh. Megjithatë, pas ndërhyrjes nga VAR-i, penalltia akordohet në favor të Partizanit dhe kontakti mes Marës dhe Carës ishte prezent. VARi shpëton gjyqtarët.

KUKËSI-KASTRIOTI 3-1
Gjyqtarë: O.Kuka, D.Agaraj, R.Zajmi (Tiranë)/ VAR: K.Cjapi (Fier), N.Bregasi (Tiranë)
Te Kukësi-Kastrioti ka pasur dy momente për moviolë, ku skuadrat kanë pretenduar për penallti. Fillimisht është Kukësi që në të 30-ën pretendon për një prekje të topit me dorë në zonë nga një mbrojtës krutan gjatë kohës kur ktheu topin me kokë te portieri, por për kryesorin është lojë e rregullt.

Në të 35-ën janë miqtë ata që pretendojnë një 11-metërsh. Në këtë minutë të sfidës, me shifrat 1-0 për krutanët, Mudrazhija arriti ta kalonte portierin Tafa dhe ky i fundit, në tentativën për të ndalur sferën, prek lojtarin i cili rrëzohet në zonë. Përsëri një episod i rëndësishëm, të cilin kryesori Orlando Kuka e la të vazhdonte normalisht duke mos u konsultuar me dhomën VAR. Vendim i gabuar, pasi duhet të akordohej penallti për krutanët.

DINAMO-LAÇI 1-1
Gjyqtarë: O.Ferataj (Patos), A.Mahmuti (Elbasan), A.Shkreta (Tiranë)/ VAR: E.Hamiti (Lezhë), D.Rexha (Tiranë)
Rastet për moviolë të ndeshjes Dinamo-Laçi, e cila u gjykua nga Olsid Ferataj, janë shumë të diskutueshme. Pamjet filmike treguan se mund të jepej një 11-metërsh për Dinamon në pjesën e dytë. Gjithashtu, arbitri Ferataj fali edhe disa lojtarë nga ndëshkimi me kartonë të verdhë.

34’ Sidibe godet me dorë në ecje e sipër Ignjatoviçin. Mesfushori i Dinamos kishte marrë një të verdhë më parë, por arbitri e fali këtë herë në një kohë që dilte automatikisht me karton të kuq.

43’ Sofranaku shënon me kokë pas krosimit të Isaevskit nga e majta. Anësori Shkreta ngre flamurin dhe anulon golin. Më pas, arbitri Olsid Ferataj pret VAR-in. Vendoset për pozicion të parregullt pas sinjalizimit në kufje nga Denis Rexha. Pamjet nuk janë të qarta nëse Sofranaku është më i avancuar se Roganoviçi në momentin e krosimit të Isaevskit. Kësisoj, i është besuar vendimit të parë të Shkretës.

60’ Haxhiu rrëzohet brenda zonës pas ndërhyrjes së Velijës dhe kërkon penallti. Arbitri vazhdon lojën, por VAR-i ndërhyn pas dy minutash. Pamjet tregojnë se Velija fut këmbën dhe është i painteresuar për topin, pasi Haxhiu e driblon. Gjykohet që nuk është penallti, por kemi të bëjmë me një rast që edhe në kampionatet europiane akordohet 11-metërsh pas ndërhyrjes së VAR-it. Dinamos iu mohua një penallti.

90’ Roganoviçi shënon pas goditjes nga jashtë zone, por ka dyshime nëse Prenga i zë rrezen portierit Harizaj, i ndodhur afër tij. Pas verifikimit në VAR, Ferataj e cilëson gol të rregullt dhe merr një vendim të drejtë me një vonesë prej 3 minutash. Prenga nuk ishte në rrezen e portierit duke mos ndikuar aspak në këtë moment.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *