• Wed. Dec 1st, 2021

AL2

…është media jote

Alban Xhaferi replikon me Hasanbelliun: Teutën e presin 11 luanë…

Byadmin

Sep 18, 2021

Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, i ka dhënë dje një përgjigje deklaratës së bërë nga kreu i klubit durrsak, Edmond Hasanbelliu, në “Panorama Sport”.

Në replikën e tij për gazetën, numri një i klubit kuqeblu ka thënë ndër të tjera se Teutën e presin 11 luanë të shtunën në stadiumin “Loro Boriçi”.

Takimi Vllaznia-Teuta vjen vetëm pas jo më shumë se tri javësh nga luajtja e finales së Superkupës në “Elbasan Arena”, ku durrsakët kampionë në fuqi arritën të fitonin 3-0 dhe morën trofeun.

“Të shtunën do të jenë në fushë 11 luanë dhe mijëra zemra kuqeblu në shkallët e stadiumit. Gjithashtu, në lokale, bare dhe nga shtëpitë, por edhe gjithandej nëpër botë, shkodranët do të jenë duke mbështetur fuqishëm Vllazninë në rrugën e saj drejt suksesit”, ka thënë Xhaferi për “Panorama Sport”, duke i dhënë kështu një përgjigje edhe deklaratës ngacmuese të presidentit të Teutës, Hasanbelliu.

Në sezonin e fundit dy skuadrat kanë qenë në luftë për titull deri në javën e 36-të, kur durrsakët ia dolën të shpalleshin kampionë falë golavarazhit më të mirë të përgjithshëm në krahasim me shkodranët.

ÇFARË THA HASANBELLIU

Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, nuk i ka kursyer batutat para ndeshjes me Vllazninë. Në numrin e djeshëm të gazetës, drejtuesi më i vjetër i futbollit shqiptar, ndër të tjera, deklaronte se stadiumi do të jetë i ndarë në gjysmë të shtunën. “Kemi më shumë shkodranë ne në ekip sesa Vllaznia…

Do të jetë një ndeshje e fortë dhe shpresoj që skuadrat të kënaqin publikun, se e meriton. Madje, kam përshtypjen se stadiumi do të jetë i ndarë në gjysmë, sepse ne kemi më shumë shkodranë në ekip. Martini, Gruda, Zogaj, por edhe dy Vilat… Po, Emiljano dhe Lorenco janë me origjinë nga Shkodra.

Po Vllaznia, pa më thoni kë ka? Ka Krymin, Krujën, Hakajn dhe Gurishtën, por në fakt kapiteni i tyre është nga Malësia e Madhe. Kështu që, jam i bindur se në Shkodër gjysma e tifozëve do mbështesin Teutën”, është mesazhi i Hasanbelliut në prag të përballjes për javën e dytë të kampionatit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *