• Thu. Dec 2nd, 2021

AL2

…është media jote

Kapiteni i U-19 Toci shkëlqen me Fiorentinën, i shënon edhe Interit! (VIDEO)

Byadmin

Sep 12, 2021

Eljon Toci është një nga talentet e rinj shqiptarë që po përpiqet të shpërthejë në futbollin italian. Sulmuesi i talentuar i Shqipërisë U19, pak nga pak po fiton hapësira me ekipin e U19 të Fiorentinës, pjesë e të cilit është për sezonin e dytë radhazi.

Sot, ai ka provuar më në fund edhe shijen e golit në kampionatin e të rinjve në Itali, në një ndeshje shumë të rëndësishme si ajo që skuadra e tij luante kundër Interit, një prej ekipeve më të forta në Itali në këtë grupmoshë.

Sfida është mbyllur me shifrat 3-3 dhe Toci ka shënuar vetëm pak minuta pasi kishte hyrë në fushë si zëvendësues.

Ai u aktivizua në minutën e 61-të të ndeshjes që në ato momente ishte 2-1 për Interin dhe ekipi i tij u gjallërua në lojën ofensive. Vetëm dy minuta më vonë u barazuan shifrat dhe në minutën e 65-të, ishte vetë Toci i cili tundi rrjetën e Interit.

Ishte një gol qendërsulmuesi tipik, duke shmangur me forcë mbrojtësin e Interit, talentin shqiptar Andi Hoti, e pastaj kaloi topin mes këmbëve të portierit për të kaluar ekipin e tij në avantazh. Për fat të keq, këtë rezultat ekipi i tij nuk e mbrojti deri në fund dhe ndeshja u mbyll në barazim.

Toci është titullar në radhët e përfaqësueses U19 të Shqipërisë dhe në ndeshjen e fundit, miqësoren ndaj Izraelit, ai ishte kapiten dhe shënoi një nga golat në barazimin 2-2.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *