• Wed. Dec 1st, 2021

AL2

…është media jote

PIKANTET| Shqipëri-San Marino/ Reja kërcen si Manaj, tifozët “mërziten” duke parë shumë gola

Byadmin

Sep 10, 2021

Edhe pse përballë kishin një kundërshtar modest, tifozët nuk e braktisin Kombëtaren, teksa mbushën shkallët e “Elbasan Arena”-s, aq sa para ndeshjes u krijuan radhë edhe në biletari. “Panorama Sport” iu përcjell pikante dhe ata që nuk u panë në transmetimin televiziv:

* Ndonëse shikohej si ndeshje me risk të ulët për incidente, policia kreu kontrolle të rrepta gjatë hyrjes në stadium. Çakmakët dhe gjërat e tjera metalike iu hoqën tifozëve nga xhepat dhe iu hodhën në rrugë.

* Kjo ndeshje ka pasur një dedikim të veçantë për fizioterapistin e Kombëtares, Ylli Mihali, i cili ndodhet i shtruar në spital për shkak të Covid-it. Në nxehmje futbollistët dolën me një fanellë ku shkruhej: “Forca Ylli, mos u dorëzo!”.

* Kombëtarja sjell tifozë nga e gjithë bota, me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Por, në sfidën ndaj San Marinos nuk mungoi as një amerikane që jeton në Shqipëri dhe bën tifo për kuqezinjtë.

* Gjatë këndimit të himneve të përfaqësueseve të gjithë duhet të çohen në këmbë në shenjë respekti. Një pjesë e mirë e tifozëve shqiptarë nuk e respektuan këtë rregull, duke treguar indiferentizëm.

* Në sektorin e medias ka pasur një problem, ku jo të gjithë ishin të pajisur me maska, çka detyroi edhe delegaten të vinte të monitoronte situatën. Pasi dha këshillat u largua për të kryer detyrat e saj.

* Edi Reja acarohet jo pak në minutat e para të ndeshjes me rastet e humbura të kuqezinjve. Përveç gjesteve që bënte me duar, shpesh kthehej nga pankina dhe tregonte pakënaqësinë e tij.

* Vëmendja mbrëmjen e djeshme nuk ishte vetëm në sfidën e Elbasanit, por edhe për ndeshjet e tjera të grupit tonë. Shumë tifozë interesoheshin se si po shkonte përballja midis Polonisë dhe Anglisë. Ka ovacione te goli i anglezëve, pasi ai rezultat e dërgonte Shqipërinë në vendin e dytë.

* Në mesin e pjesës së parë, ende pa u shënuar goli, Reja nxjerr menjëherë në nxehmje tre lojtarë, duke parë se diçka nuk po shkonte në ekip. Çekiçi, Balaj dhe Ismajli kryejnë nxehmje, por pas shënimit të golit ulen sërish. Sakaq, Reja nxjerr një grup tjetër, mes tyre edhe Brojën, çka solli edhe ovacione në stadium duke thirrur emrin e tij. Reja ia bën qejfin, e fut menjëherë në pjesën e dytë.

* Rreth minutës së 30-të, pikërisht në tribunën përkarshi hyjnë në stadium një grup policësh të veshur rëndë dhe me skafandra. Me sa duket, kanë pasur sinjalizim për diçka, por nuk iu desh të ndërhynin.

* Me sa duket, San Marino kishte ardhur pa trajner me vete në pjesën e parë, pasi nuk u pa thuajse asnjëherë të ngrihej nga pankina të jepte udhëzime për të tijtë. Në të dytën, u çua kur pësoi golat, më shumë për të kritikuar të tijtë. Ndoshta, duke njohur skuadrën e tij, Franko Varela nuk ka pasur se çfarë direktivash t’u jepte.

* Manaj kërkon mbështetjen e tifozëve duke ua bërë me duar që të brohorasin. Ata ia kthejnë reston menjëherë dhe i plotësojnë dëshirën duke u entuziazmuar.

* Reja tërbohet me Manajn dhe me fintet që po bënte ai, duke bërë veprime me gjeste sikur po kërcente, veprim që solli ilaritet në shkallët e stadiumit.

* Hysajt i ndërhyhet keq nga një lojtar mik dhe kërkon t’i hakërrehet, pasi me sa duket ka qenë ndërhyrje e keqe, nga i cili ka çaluar. Por, është Gjimshiti ai që e tërheq pas, duke i thënë të mos vazhdojë më. Kapiteni duron pak dhe më pas kërkon ndërhyrjen e stafit mjekësor për të marrë ndihmën dhe për t’u zëvendësuar më pas.

* Tifozët “mërziten” nga golat e shënuar dhe me një ndeshje të përfunduar, fillojnë të boshatisin stadiumin rreth 10 minuta para mbylljes së ndeshjes.

* Në fund, lojtarët kuqezinj shkuan të përshëndeten me tifozët nga larg, ndërsa vetëm Broja ishte ai që i shkoi nga afër dhe duartrokiti ata. Sakaq, sulmuesi u ngjit edhe në shkallët e tribunës për të përshëndetur tifozët, të cilët e kërkonin me ngulm edhe për të bërë një foto me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *