• Thu. Dec 2nd, 2021

AL2

…është media jote

Pritet rrotacion ndaj San Marinos. Ja formacioni i mundshëm i Shqipërisë (FOTO)

Byadmin

Sep 7, 2021

Kombëtarja shqiptare nuk ka kohë për të humbur dhe menjëherë ekipi ka nisur nga përgatitjet për sfidën e nesërme ndaj San Marinos, e cila do të luhet në “Elbasan Arena”. Triumfi ndaj Hungarisë vazhdon të ndihet në kampin kuqezi, kjo edhe për shkak se kundërshtari i radhës në letër është lehtësisht i kalueshëm.

Ky fakt ka bërë që të zgjasë edhe më shumë festa e fitores ndaj Hungarisë, teksa në kampin stërvitor të kuqezinjve mbizotëronte hareja. Jo vetëm lojtarëve, por edhe trajnerit Reja dhe ndihmësve të tij u dallohej nga larg buzëqeshja, duke lënë të kuptohet se gjithçka është “OK” dhe janë gati për t’i shkuar misionit deri në fund.

Në përballjen me San Marinon, Reja do të ketë disa mungesa të sigurta për shkak dëmtimesh dhe të tjera për pezullim nga kartonët e verdhë. Duke marrë parasysh forcën e kundërshtarit dhe mungesat e shumta, me shumë gjasa do të shohim një Shqipëri krejtësisht ndryshe nga ajo që triumfoi me Hungarinë.

PËRGATITJET – Kuqezinjtë zbritën në ambientet stërvitore rreth orës 17.00 të pasdites së djeshme, ku zhvilluan seancën e vetme për sfidën me San Marinon e vlefshme për Botërorin “Katar 2022”.

Stafi teknik me në krye trajnerin Edi Reja e ndau grupin në dy pjesë, duke rezervuar një ngarkesë më të lehtë për futbollistët që luajtën mbrëmjen e së dielës ndaj Hungarisë.

Seanca e djeshme u zhvillua me një grup të cunguar pasi Gjimshiti, Kumbulla, Ismajli, Doka, Bajrami, Uzuni dhe Roshi, u dërguan për t’u relaksuar në një prej komplekseve turistike, i cili ka pishina, sauna dhe masazhe.

Ndërkohë, pjesa tjetër e grupit zhvilluan gjithashtu një seancë jo shumë të ngarkuar, e cila nisi me ngrohjen e muskujve me disa ushtrime akrobatike dhe gjatë minutave të fundit vunë në zbatim disa skema të përgatitura nga Reja dhe stafi teknik.

Në disa prej lojërave ndëshkimi ishte nga vetë lojtarët, teksa çdo gabim paguhej me goditje nga futbollistët. Manaj ishte një prej tyre, i cili mori shpulla nga të tjerët. Sigurisht, me situata humori për të shtensionuar stërvitjen.

FORMACIONI – Ndaj San Marinos pritet që të ketë rotacion te kuqezinjtë duke u dhënë mundësi edhe minutave edhe lojtarëve të stolit.

Rotacioni mund të nisë nga porta, me Strakoshën. Mund të jetë radha që Gjimshiti të marrë pak frymë, por risi mund të ketë edhe në fazën sulmuese, ku trajneri mund të bëjë vend edhe për treshen Uzuni, Manaj dhe Broja, të cilët me formën e mirë mund të hidhen në fushë nga minuta e parë.

Mungojnë disa lojtarë shumë të rëndësishëm në këtë përballje të radhës, por fatmirësisht kjo nuk e shqetëson aspak trajnerin Eduardo Reja dhe ndihmësit e tij, pasi janë të bindur se San Marino nuk është kundërshtar që mund t’i bëjë rezistencë Shqipërisë pavarësisht se cilët lojtarë do të zbresin në fushë.

Por, kjo nuk do të thotë se kuqezinjtë dhe drejtuesit e tyre po flenë mbi dafina, pasi e kanë marrë me shumë seriozitet kundërshtarin edhe pse në letër duket shumë i dobët për ekipin tonë Kombëtar.

Për ndeshjen e radhës janë konfirmuar mungesat e Klaus Gjasulës për shkak pezullimi dhe të Amir Abrashit, Lorenc Trashit e Sokol Cikalleshit për shkak dëmtimi.

Sakaq, lajm i mirë është rikthimi i mbrojtësit Hysaj, mesfushorit Bare dhe sulmuesit Manaj, të cilët shlyen pezullimin për shkak kartonësh dhe do të jenë në dispozicion të trajnerit Reja për ta nisur nga minuta e parë përballjen e radhës ndaj San Marinos, ku do të kërkojnë një tjetër sukses për të mbajtur gjallë ëndrrën për një vend në Kupën e Botës, “Katar 2022”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *