• Wed. Nov 24th, 2021

AL2

…është media jote

Shqipri-Hungari, njihuni me notat e lojtarëve!

Byadmin

Sep 6, 2021

Nga Klaudio Ndreca

Etrit Berisha (6): “Në krahasim me paraqitjen e fundit ndaj Polonisë ku çdo goditje e drejtuar drejt portës nxirrej nga rrjeta, gardiani reagon ndaj kritikave. Me rolin e shpëtimtarit në një rast flagrant të pjesës së parë teksa ndalon kundërshtarin që del i vetëm përballë tij kur rezultati ishte 0-0. Ka rrezen e duhur të portës edhe në momentin më të rrezikshëm të minutës së 85 teksa Szobszlai nuk arrin të shënojë nga thuajse e njëjta mënyrë dhe pozicion si Cikalleshi ndaj Polonisë. Berisha jep siguri duke kapur topin edhe në goditjen standarte, për t’i falur qetësinë mbrojtjes. Gjithçka që nuk bëri ndaj Polonisë, megjithëse këtë herë shokët e ekipit ja bënë detyrën edhe më të lehtë, teksa në shumicën e kohës ishte tifoz pa pagesë.

Marash Kumbulla (6.5): “Fatin nuk e ka me vete, çfarë padrejtësie për të! Në momentin më të vështirë të karrierës duhet të përballojë edhe presionin e madh të Kombëtares. Si fajtor kryesor u konsiderua në disfatën e Polonisë, Armando Broja e shpëton për t’u mos vendosur në tabelën e qitjes edhe këtë herë. E pabesueshme mënyra sesi nuk shtyu dot topin në rrjetë me portën e boshatisur. Për më tepër që nuk u befasua nga ardhja e topit pasi e sulmoi shtyllën e dytë dhe e priste mbërritjen e sferës. Një gol i tillë i humbur ka vlerën e një goli të pësuar! Për këtë arsye meriton një notë më pak. Sa i përket mbrojtjes, i kryen detyrat e tij në mënyrën e duhur. Në minutën e 30 arrin që t’i heq golin e sigurt Gazdag që ishte fare pranë Etrit Berishës vetëm duke përdorur trupin, si të kishte vite të tëra me Kombëtaren”.

Ardian Ismajli (6): “Me Poloninë kishte të njëjtën lartësi me Gjimshitin, por mungesa e vëmendjes ndaj Hungarisë mund të rezultonte fatale në dy raste. Rasti i minutës së 30 do të kishte qenë fatal nëse Kumbulla nuk do të kishte mbyllur rivalin si mbrojtës i fundit që nuk duhej të kalonte nëse Ismajli do të kishte qenë më i vëmendshëm. Ndërkohë në të 85 nuk kishte vendosjen e duhur dhe gabon tërësisht duke i dhënë mundësinë Szobszlai të mbyllte ndeshjen në favorin e Hungarisë. Vetëm këto dy gabime, por me peshë të madhe që mund të vendosnin ndeshjen. Në gjithë pjesën tjetër Ismajli ishte në nivel të lartë duke ndërhyrë ndaj kundërshtarit edhe me “gërshërë” për të fituar topin. Me fizikun e tij është thuajse i pamposhtur në duele, por duhet të ketë më tepër përqendrim. Fitorja bën gjithçka të harrohet”!

Berat Gjimshiti (7): “Kapiteni moral i kësaj Kombëtare. Nuk gabon në asgjë, në asgjë të vetme! Fiton çdo duel të mundshëm dhe shuan të gjitha shpresat e kundërshtarëve që kërkojnë ta kalojnë. Nëse do të vijë një ditë kur Shqipëria do të pësojë gol për fajin e Berat Gjimshitit, për Kombëtaren do të duket si fundi i botës…”

Lorenc Trashi (6): “Kishte një marsh më shumë ndaj Polonisë. Ishte më i rrezikshëm nga krahu ndaj këtij kundërshtari sesa me Hungarinë. I njëjti problem me Trashin në krahë, bëhemi shumë të parashikueshëm. Gjithmonë pas kontrollit të topit prej tij do të kemi një krosim, nuk provohet asnjëherë kombinimi dhe hyrja drejt zonës për të qenë edhe më i rrezikshëm”.

Klaus Gjasula (7.5): “Një prej dy yjeve të ndeshjes. Sergio Busquets guxuam ta quanim ndaj Polonisë, nuk na zhgënjen aspak ndaj Hungarisë. Me klubin mund ta ketë luhatje, por me Kombëtaren është gjithmonë i njëjti. Të befason me qetësinë e madhe sesi ndërhyn dhe vepron në mesfushë. Madje pyet veten: “Si ka mundësi që nuk luan me një skuadër të njohur ky lojtar? Mëkat”! Nuk numërohen aksionet që ka thyer në mesfushë ndaj kundërshtarëve. Ka gjithë zgjuarsinë për të kuptuar se kur duhet të bëhet faulli taktik teksa sheh se mbrojtja jonë nuk është vendosur dhe kundërshtari mund të shënojë për të na befasuar. I qetë, gjakftohtë dhe saktësi të frikshme nga pasimet. Për më tepër që goli i vetëm i ndeshjes erdhi pasi theu sulmin e kundërshtarëve me një ndërhyrje…alla Gjasula. Kokoren mund ta heqi, por mbetet po i njëjti lojtar i klasit të lartë në Kombëtare. I bënte rivalët të dukeshin dy nivele poshtë tij”.

Abrashi (6): “Kjo nuk ishte një ndeshje tipike për të vënë në pah Abrashin. Shqipëria e dominon që nga minuta e parë Hungarinë, kërkohej më tepër fantazi dhe aftësi në driblim sesa kilometra të përshkruara dhe ndërhyrje të ashpra për të thyer kundërshtarët. Në këtë pjesë Abrashi ka cilësi mangut dhe ngadalësohet në disa raste aksioni sulmues për të befasuar kundërshtarin. Por asgjë e bërë keq, Abrashi përmbush detyrat brenda tipit të tij”.

Doka (7): “Elseid Hysaj, rrezik! Mbrojtësi shkodran që ka cilësitë dhe eksperiencën më të mirë te Kombëtarja, të ndërlidhura së bashku, e sheh veten të vendosur në rrezik nga mbrojtësi 24-vjeçar nga Gorica. E çuditshme! Në pjesën e parë Doka qëndron i qetë për të mbyllur detyrat mbrojtëse dhe pa provuar shumë daljet sulmuese. Ndërkohë në pjesën e dytë kur duhej të ishte konsumuar disi në energji, Doka shpërthen nga krahu dhe duket sikur të ishte i sapo futur. Në disa raste merr tre futbollistë të Hungarisë me vete dhe i turpëron. Kjo i jep krahë Dokës, Reja kërkon ta ul në tokë mes britmave për t’i treguar se edhe mund të pasohet.

Pra i njëjti problem me Hysajn, por ndryshe nga shkodrani, Doka ka mundësinë për të ecur më para dhe për të dribluar më shumë kundërshtarë, por mbi të gjitha, mund të dëgjojë. Kjo do të thotë se i njëjti gabim nuk përsëritet më shumë se njëherë, ose të paktën, dy herë. Hysaj është i njëjti prej vitesh dhe sërish nuk ka arritur të kuptojë ndarjen se kur duhet të pasohet dhe kur duhet të vazhdohet me topin. E tepron në Kombëtare! Albi Doka ishte shumë herë më i mirë sesa Elseid Hysaj ndaj Polonisë. Me siguri që Reja do të detyrohet të spostojë Hysajn në krahun e majtë me këtë Doka, pasi në të kundërt do të bënte padrejtësi”.

Bajrami (6.5): “Kishte gjithë vëmendjen e tifozëve shqiptarë. Mesfushori shqiptar vinte për të bërë fare pak seanca stërvitore dhe futet menjëherë në formacionin titullar. Basti i rrezikshëm, por Reja nuk kishte se çfarë të humbte. Trajneri kërkoi që të përfitonte sa më shumë nga aftësitë individuale të këtij lojtari. E tregon në fushën e blertë se është vlera që i mungonte Kombëtares duke krijuar korridore që janë asfiksuese për kundërshtarin. Por nuk kuptohet ende mirë nga shokët e skuadrës pasi ka pak kohë me ta. E ardhmja duket premtuese me Bajramin”!.

Uzuni (7.5): “Lojtari i ndeshjes me Klaus Gjasulën. I kthen përgjigje Rejës dhe i tregon se sa i vlen lëkura. Myrto ishte për të vendosur “duart në kokë” dhe më pas për t’i ulur sërish, që ta duartrokisje. Arsyeja? Fare e thjeshtë! 90 minuta në fushën e lojës dhe kishte befasinë për rivalin deri në sekondën e fundit të takimit. Vraponte njësoj si të ishte në minutat e para, si të kishte injektuar “substanca të ndaluara”. Ndoshta e tillë është fanella e Shqipërisë për të. I dalin thuajse të gjitha driblimet ndaj lojtarëve të Hungarisë dhe ka gjithë inteligjencën për të kuptuar sesi mund t’i bëjë keq rivalëve. I jep “llokumen” Balajt për të shuar urinë e mungesës së golit, por Bekimi e hedh poshtë në fraksion sekondi…

Bekim Balaj (4.5): “Ishte pikëpyetja më e madhe në formacionin e Rejës dhe rezultoi dështimi i vetëm. Balaj nuk ka shënuar asnjë gol të vetëm prej kohësh, nuk mund të tjetërsohet në Kombëtare. Është hija e vetvetes dhe kjo dëshmohet sërish ndaj Hungarisë. E vetmja gjë që mund të bëjë ky sulmues është kërcimi për të shfrytëzuar në disa raste shtatlartësinë e tij. Një gjysëm note për këtë “vlerë”! Gjithë pjesa tjetër, për t’u harruar. Në hapësirat e shumta që lënë hungarezët pasi i kapim në kundërsulm, Balaj vetëm mund të ngadalësojë aksionin. Nuk ka aftësinë për të shpërthýer me topin në zotërim dhe me portën nuk ka aspak marrëdhënie të mirë. Uzuni i dha rastin e artë dhe e nxori të vetëm para portierit, mundi të preki vetëm rrjetën e jashtme”.

Zëvendësimet që spikatën

Qazim Laçi (7): “A ishte në rregull Qazim Laçi? I befason të gjithë! Nuk na ka lënë përshtypjen e një mesfushori me kualitete të mëdha në aspektin e fantazisë dhe ndihmës për pjesën e sulmit, por Laçi po luante në fushë sikur të ishte ndeshja e fundit e jetës së tij. Vrapimi me topin në zotërim ishte mbreslënës. Grinta dhe shpirti i treguar me fanellën e Kombëtares ishte shembulli që duhet marrë dhe që e shihnim te Lorik Cana. Arrin t’i kalojë kundërshtarët si të ishin piketa dhe mban Shqipërinë përpara, duke vrapuar i vetëm në gjithë pjesën e mesfushës për të thýer dhe ndërtuar aksione. Dukej ikur “do t’i hante të gjallë” i vetëm hungarezët”.

Armando Broja (7): “Djali i pabindur që të ndëshkon”! Reja e kishte kritikuar shumë para ndeshjes dhe po krijoheshin dyshime të mëdha për të. Futet vetëm 12 minuta nga fundi kur ndeshja dukej si histori e mbyllur. Një gjuajtje dhe një gol! Këndi ishte i pamundur, por Broja e bën të duket të thjeshtë. Ky ishte heroi që na dha golin e parë kundër Hungarisë në histori, ndërsa gjithashtu ishin edhe 3 pikët jetike që na mbajnë ende në garën e kualifikimit. Padyshim që Broja luajti mes ekstremeve në atë moment. Sulmuesi i Southampton ngre kokën dhe sheh Uzunin të lirë që gjendej i vetëm para portierit kundërshtar, por kishte shumë mllëf dhe kërkonte t’i tregonte trajnerit se çfarë ishte i aftë të bënte.

Kështu mbërriti goditja e fortë që shtangu edhe vetë portierin e Hungarisë. Por çfarë do të ndodhte nëse Broja do të gabonte në atë rast? Nëse ajo gjuajtje do të përsëritet sërish, nuk ka asnjë mundësi për të përfunduar në rrjetë. E megjithatë nuk duhet të flasim me nëse, djaloshi i pabindur ishte heroi i Shqipërisë. Ishte e vetmja mënyrë për të fituar ndaj Hungarisë, me Brojën që bëri detyrën e Leëandoëskit dhe tregoi se i përket kalibri tjetër”. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *