• Fri. Nov 26th, 2021

AL2

…është media jote

Festë dhe këngë, tifozët ndezin stadiumin “Elbasan Arena”. Ja pikantet e sfidës Shqipëri-Hungari

Byadmin

Sep 6, 2021

Gazeta “Panorama Sport” ju sjell momentet pikante çfarë nuk u pa në TV para, gjatë dhe në përfundim të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Hungarisë, me rikthimin e tifozëve pas një mungese disa mujore.

* Në bazë të masave anti-COVID stadiumi duhet të ishte i mbushur vetëm 30%, por në këtë ndeshje u duk se u lëshua pak më shumë dora. Tribuna qendrore dhe ajo ballore ishin thuajse plot, ndërsa më pak kishin ato pas porte. Sakaq, për shkak të pikave të shiut para ndeshjes, tifozët e lanë për në fund hyrjen në stadiume, duke krijuar radhë në sportele. Një pjesë e mirë e tyre madje blinin bileta edhe pasi ndeshja kishte filluar.

* Para nisjes së sfidës, gjatë kohës që ekipet bënin nxehmje, në stadium u vunë këngë patriotike, të cilat mundësonin më shumë edhe elektrizimin e sportdashësve.

* Fiks 17 vjet më parë, humbi jetën tragjikisht tifozi shqiptar në Greqi, Gramoz Palushi, pasi po festonte fitoren e Kombëtares sonë ndaj kampionëve të Europës. Tifozët përkujtuan duket thërritur disa herë emrin e tij në kor.

* Për shkak të masave antiCOVID, në ndeshjet e Kombëtares nuk sillen më protokollet të printuara, por vetëm në versionin “online”. Disa prej gazetarëve ishin të papërgatitur për këtë risi, edhe pse ka më shumë se një vit që aplikohet.

* Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, ishte i pranishëm në stadium dhe ndryshe nga shumë kolegë të tij, preferoi ta shijonte ndeshjen në tribunën e gazetarëve.

* Gjatë hyrjes së makinave në parkingun e stadiumit, për pak ndodhi një aksident që mund të kishte përmasa tragjike. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, preket nga një makinë, por për fat ia hedh pa pasoja.

* Tifozët miq nuk munguan në shkallët e stadiumit, por nuk ishin në një sektor të veçuar vetëm për ta. Ishin në një cep krah tifozëve shqiptarë. Gjatë gjithë kohës mbështetën skuadrën e tyre.

* Në një moment mungon “Fair Play” nga hungarezët pas një dëmtimi të Trashit, duke sjellë vërshëllima dhe irritimin e tifozërisë shqiptare.

* Edi Reja revoltohet me mbrojtjen shqiptare në minutën e 18-të, kur kundërshtari doli i vetëm përballë Berishës, por për fat të mirë nuk u tregua i saktë.

* Në të 32-ën Trashi u ankua për një rivënie anësore që nuk iu akordua në favor dhe filloi të fliste duke u ankuar. Arbitri ia bën me shenjë që të mbyllë gojën dhe të lërë ankesat, pasi vendimi i tij nuk diskutohet.

* Edhe pallatet karshi “Elbasan Arena”-s ishin mbushur thuajse plot, duke mos u munguar dekori i flamujve kombëtarë.

May be an image of 1 person, playing a sport, standing and outdoors

* Në të 51-ën Balaj humb një rast flagrant dhe dha iluzionin e golit, pasi preku rrjetën e jashtme. Por, Reja me stafin vënë duart në kokë kur shohin se sfera nuk përfundon në portë.

* Me nisjen e pjesës së dytë rikthehen hijet e dronit në stadium. Me sa duket, disa përkrahës të deputetit të PSsë, Taulant Balla, kanë menduar ta suprizojnë me një baner ku shkruhej:

“Taulant Balla, Elbasani ty të do”. Siç duket, kjo shprehje lidhej me zhvillimet e fundit politike në vend, ku Balla largohet nga Qarku i Elbasanit, për të kryesuar atë të Fierit. Vetë Balla ishte i pranishëm në stadium.

* Nedim Bajrami fiton menjëherë zemrat e tifozëve në debutim, teksa gjatë lojës u duartrokit shumë. Kulmin e arriti gjatë zëvendësimit të tij.

* Gjyqtari i katërt tërbohet me Rejën dhe ia tërheq disa herë “veshin”, pasi thyente perimetrin ku duhet të qëndrojë trajneri. Madje, i hakërrehet ashpër në një rast, duke e kërcënuar se do ta nxirrte jashtë.

* Në fund ka festë, jo vetëm në stadium, por edhe në rrugët e qytetit të Elbasanit, me makinat që parakalonin duke valëvitur flamurin kuqezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *