• Fri. Dec 3rd, 2021

AL2

…është media jote

Vendos një autogol, Kosova gjen fitoren e parë në eliminatore (VIDEO)

Byadmin

Sep 2, 2021

Kosova gjen fitoren e parë në eliminatoret e kupës së Botës Katar 2022, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin minimal 0-1 në transfertën ndaj Gjeorgjisë, falë një autogoli të mbrojtësit të vendasve Kocholava në minutën e 18’.

“Dardanët” i nisën eliminatoret me dy humbje ndaj Suedisë e Spanjës, të cilat janë edhe favoritet e grupit për të vijuar më tej, megjithatë reagoi mjaft mirë në transfertën gjeorgjiane, duke marrë edhe tre pikët e para.

Sfida nisi e qetë, teksa pas një faze studimi të njëra-tjetrës, Kosova mori e para iniciativën dhe ia doli të zhbllokojë sfidën në minutën e 18’, kur pas një krosimi në zonë, Khocholava devijoi në mënyrë të pafat topin në rrjetën e portës së tij.

Image

Vendasit provuan të reagojnë dhe iu afruan golit në minutën e 26’ me një goditje standarde të Tsitaishvilit, por topi përfundoi mbi kuadrat, ndërsa në të 37-ën ishte portieri Arianit Muriç, që bëri një pritje mjaft të bukur dhe ruajti të paprekur portën e tij.

Pjesa e dytë nisi me një mundësi të mirë për “Dardanët” që kërcënuan me anë të sulmuesit kryesor të ekipit, Vedat Muriqit, megjithatë tentativa e tij përfundoi lehtësisht në duart e portierit Giorgi Loria.

Mundësia më e mirë e vendasve për të gjetur golin e barazimit, u regjistrua në minutën e 58’, kur pas një krosimi të bukur të ardhur në zonën “dardane”, gjeorgjianët provuan në dy momente, por në fund një devijim i Hadërgjonajt dërgoi topin jashtë vijës fundore.

Në minutën e 64-t Kosova shpërdoron një mundësi të artë për të mbyllur llogaritë e ndeshjes, pasi ishte Lirim Kastrati që fitoi një dyluftim shpejtësie me një mbrojtës kundërshtar dhe u vu i vetëm përballë portierit gjeorgjian, por ky i fundit ndali tentativën e parë të sulmuesit, ndërsa më pas topi përfundoi te Muriqi, por edhe goditja e tij u ndaj nga një mbrojtës vendas.

Gjeorgjianët nuk pajtohen me barazimin dhe i afrohen sërish golit në minutën 74-t, por hasin sërish në pritjen e portierit Muric, që ishte në formë mjaft të mirë mbrëmjen e sotme.

Image

Trajneri Challandes freskoi sulmin me aktivizimin e Zymer Bytyqit në vend të Lirim Kastratit dhe sulmuesi i Konyasporit në kampionatin turk u bë dy herë protagonist me zbritjet e shpejta, por gaboi në zgjedhjet finale.

Në minutën e 84-t, pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar bukur nga Valon Berisha, portieri gjeorgjian grushton topin që iu drejtua portës, replikon edhe në momentin e dytë ndaj Muriqit, por nuk bën asgjë në tentativën e Rashanit, që dërgon sferën në rrjetë.

Megjithatë arbitrat ndalin festën e “Dardanëve” duke akorduar një pozicion jashtë loje, që u konfirmua më vonë edhe nga VAR-i dhe la të hapur takimin deri në fund. Gjithsesi Kosova ia doli të ruajë të paprekur portën dhe t’i gëzohet tre pikëshit të parë në këto eliminatore, teksa ngjitet momentalisht në vendin e tretë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *