• Thu. Dec 2nd, 2021

AL2

…është media jote

Alban Xhaferi presidenti i ri: Ja ëndrra ime në krye të Vllaznisë!

Byadmin

Sep 1, 2021

Vllaznia ka nisur një epokë të re, atë të privatizimit të klubit në masën 100 %, që e lë për herë të parë jashtë administrimit bashkinë Shkodër. 

Alban Xhaferi është zyrtarisht presidenti i ri i kuqebluve dhe tashmë ëndrra e tij është të rikthejë titullin kampion dhe gjithashtu të bëjë atë që bëri Skënderbeu dy herë, kualifikimin në fazën e grupeve në kompeticionet e UEFA-s.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, kreu i klubit flet për ambiciet që ka nën drejtimin e shkodranëve, problematikën e borxheve të prapambetura dhe deri te finalja e humbur së fundmi për Superkupën e Shqipërisë ndaj Teutës.

Alban, si është të jesh edhe “de jure” president i Vllaznisë?

Natyrisht është krenari dhe vazhdim i një projekti që ka disa muaj që ka nisur. Normalisht për mua është ndjesi e veçantë, por më shumë është një ndjenjë përgjegjësie.

Teknikisht kemi të bëjmë tashmë me një menaxhim që do të jetë komplet i privatit, në ndryshim nga e kaluara, që ka qenë në bashkëpunim me bashkinë Shkodër. Gjithmonë përgjegjësitë janë të mëdha, por jam i bindur se ndryshimi në klub do të jetë shumë pozitiv. Do të luftojmë fuqishëm për këtë pjesë…

Për të gjithë ata që nuk e kuptojnë, mund të na sqaroni se çfarë ka blerë konkretisht kompania juaj me shifrën prej 637 milionë lekësh të vjetër në ankandin që u bë për shitjen e klubit Vllaznia?

Sipas ligjeve në fuqi për privatizimin e klubeve të futbollit, ne kemi blerë logon dhe emrin e Vllaznisë, por që normalisht kjo futet në shoqërinë aksionere. Në këtë rast kemi blerë Vllaznia sh.a ose në gjuhën popullore, mund të themi ndërmarrjen. Sa i përket stadiumit “Loro Boriçi” apo fushës stërvitore, natyrisht që ato janë asete të qytetit, që administrohen nga bashkia.

Por, sigurisht që marrëveshja dhe raporti jonë me bashkinë, do të vazhdojë përtej këtij ndryshimi sepse Vllaznia në vetvete është aset i qytetit, që gjithmonë do të ecë me idenë e arritjes së rezultateve dhe objektivave madhore që kemi të gjithë. Praktikisht, në këtë rast është shitur vetëm shoqëria aksionere me të gjitha detyrimet që ka pasur në kontekstin e një ndërmarrjeje.

Borxhi që ka Vllaznia është marrë përsipër të shlyhet totalisht nga kompania juaj?

Vllaznia sh.a është blerë me të gjitha. Këtu përfshihen borxhet që ka pasur, detyrimet ndaj palëve të treta, kontrata lojtarësh dhe gjithçka tjetër. Borxhet janë marrë përsipër nga ne si kompani sepse ky ishte edhe kushti i shitjes së klubit të futbollit Vllaznia nga bashkia, që në këtë rast është autoriteti shitës.

Sa shkon fatura e detyrimeve të prapambetura që ka klubi?

Borxhi është i deklaruar tashmë, pasi vetëm në Tatime kemi 1.5 miliardë lekë detyrime. Përveç kësaj, klubi ka edhe disa detyrime të tjera të prapambetura. Ne kemi bërë tashmë marrëveshje me Tatimet, si dhe lojtarë që kanë pasur probleme në të shkuarën.

Po zbatojmë me përpikëri marrëveshjet që kemi bërë me të gjitha palët, gjithmonë me idenë që të jemi në rregull si klub. Natyrisht, në këtë situatë shpresojmë që të na stimulojë ose më saktë, të na falë qeveria atë pjesë të borxhit që kemi në Tatime.

Kjo nuk i bën mirë vetëm Vllaznisë, por të gjitha klubeve, pasi u jep një dorë për zhvillimin në vazhdimësi. Përveçse do të ishte një lehtësi e madhe për klubet, mendoj se kjo amnisti për shtetin do të ishte kosto e papërfillshme. Uroj që të ketë mirëkuptim në vazhdimësi nga qeveria për këtë çështje.

Cila është ëndrra juaj nën drejtimin e Vllaznisë?

Që në momentin që i jam futur kësaj rruge, qëllimi ka qenë vetëm suksesi. Pra, të futemi në rrugën e titujve dhe pjesëmarrjes së rregullt në Europë, por gjithashtu të përmirësojmë sa më shumë akademinë. Dua që të ndërtojmë një klub funksional në të gjitha aspektet, si në atë financiar, menaxhimin, marketingun dhe rritjen e infrastrukturës.

Pak a shumë këto janë bazat që mund t’i quaj si ëndrrat e mia në drejtimin e klubit të Vllaznisë. Dua që të jetë një klub që të luftojë gjithmonë për titullin në Superiore dhe të kap një ditë fazën e grupeve të ndonjë prej kompeticioneve të UEFA-s. Këto janë ambiciet e mia dhe shpresoj që t’i bëjmë realitet së shpejti.

Ju besoni se Vllaznia mund të kthehet në një klub rentabël dhe të prodhojë të ardhura të rëndësishme për realitetin shqiptar?

Unë kam bërë një plan biznesi përpara se t’i futem kësaj rruge, pra se si mund të menaxhohet më mirë Vllaznia dhe klubi të prodhojë të ardhura. Në stadin që jemi, ne duhet të vetmenaxhohemi. Ky do të ishte sukses për momentin në klubin tonë, por nuk mendoj se futbolli në Shqipëri ka të ardhura të rëndësishme.

Vërtet mund të gjenerosh të ardhura nga shitja e lojtarëve apo pjesëmarrja në Europë, por nga ana tjetër, klubi në vetvete ka shpenzime të jashtëzakonshme brenda një sezoni. Por, kur arrin në një nivel të mirë, gjithmonë do të kërkosh më shumë. Megjithatë, qëllimi parësor i yni në fund të sezonit është që klubi të jetë rentabël sa i përket anës financiare, për shpenzimet dhe arkëtimet.

Shembulli i Skënderbeut është një rast që shërben edhe për ju si klub?

Patjetër që mund të shërbejë për ne si një model pozitiv Skënderbeu i disa viteve më parë. Është mirë që të kemi një klub që vetmenaxhohet, me një të ardhme të qëndrueshme. Ky do të jetë sukses nëse e arrijmë, por kur kap një nivel, do të kërkosh më pas të bësh më tepër.

Sa beson te titulli kampion këtë sezon?

Besojmë shumë, prandaj dhe kemi marrë përsipër këtë. Ia kemi bërë hyzmetin çdo gjëje deri më tani për të luftuar për titullin kampion që nga java e parë dhe deri në fund. Vllaznisë i mungon titulli prej dy dekadash, por unë mendoj se kemi bërë një skuadër të mirë, ku kemi përforcuar çdo repart në të gjitha aspektet. Besoj se Vllaznia është një nga pretendentet kryesore për titullin në sezonin e ri. Shpresojmë që këtë ta bëjmë realitet në fund të kampionatit.

Keni ndonjë keqardhje për humbjen e Superkupës ndaj Teutës?

Më shumë se keqardhje, do ta quaja një mësim të mirë për ne. Duke qenë se koincidoi me mbylljen e procesit të ankandit dhe zyrtarizimin e blerjes së klubit, do të ishte diçka e bukur që ta nisja me një trofe në këtë status të ri. Gjithsesi, e përsëris që ishte mësim për ne, qoftë edhe prej deklaratave të para ndeshjes që u bënë nga skuadra jonë.

Edhe këtë pjesë e mirëkuptoj, pasi bëhet për motivin e mirë dhe dhënien e një mesazhi optimist në prag ndeshje, por tashmë duhet të jemi më shumë me këmbë në tokë dhe të vlerësojmë kundërshtarët. Kërkohet më tepër qetësi dhe arritje të gjërave, jo vetëm të flasim para kohe. Ekipi duhet të jetë më i qartë në aspektin teknik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *