• Wed. Dec 1st, 2021

AL2

…është media jote

PIKANTET E SUPERKUPËS/ Duam tifozët në stadiume, por sa shumë polemika e thumbime

Byadmin

Aug 31, 2021

Sezoni 2021-2022 në futbollin shqiptar ka startuar me finalen e Superkupës, që u luajt të shtunën në “Elbasan Arena”. “Panorama Sport” ju sjellë momente pikante nga ndeshja dhe ato që nuk u panë.

 Sfida luhej në Elbasan, por të jepej përshtypja se ishte në Shkodër, duke qenë se pati një dominim të theksuar të tifozëve të Vllaznisë, të cilët kishin udhëtuar për të mbështetur skuadrën e tyre. Në kampin durrsak numri ishte i limituar, por në fund janë ata që festojnë.

 Në fund të sfidës pati një incident të vogël jashtë stadiumit, me një grup tifozësh shkodranë që sulmuan një të Teutës, por për shkak edhe të ndërhyrjes së policisë situata kaloi pa probleme të mëdha.

 Baza materiale për përgatitjen e skenës ku do të jepej trofeu i fituesit të Superkupës erdhi gjatë momentit që ekipet po kryenin nxehjen. Gjatë gjithë kohës, deri në përfundim të sfidës, punëtorët u morën me rregullimin e saj.

 Gjatë momentit që po lexoheshin emrat nga spikeri në stadium, tifozët vërshëllyen ato të gjyqtarëve, pasi me sa duket nuk i kanë harruar gabimet e tyre gjatë kampionatit të kaluar.

 Adolf Selmani vjen në versionin e gladiatorit në këtë ndeshje, teksa në fytyrë mbajti një maskë mbrojtëse, për shkak të një dëmtimi që kishte pësuar.

 Jo në pak raste, gjatë lojës, tifozët shkodranë nuk i lanë batutat në adresë të gjyqtarëve. Fillimisht u kapën me Juxhin Xhajën, më pas lëshuan batutën për Jorgjin që ishte në VAR. “Ky Jorgji tek VAR-i është me ne”, ia behu një tifoz. Batuta kishte edhe ndaj kryesorit Meta: “O Kridens, Superkupë është mo, se nuk ka lek”.

 Shkodranët u kapën gjithashtu edhe me kundërshtarin, ku nuk munguan thumbimet ndaj tyre. Në pjesën e dytë dikush ia beh nga tribuna: “O Rizvan, e ke stërvitur mirë Qirkon se do të ketë shumë punë në këtë pjesë të dytë”. Një tjetër ngacmon Plakun: “O Plaku, shko merr pensionin, o Plaku”. Sakaq, për shkak të grintës së Aleksit dhe përplasjeve të tij në fushë me lojtarët shkodranë, ndaj tij ka pasur edhe sharje dhe ofendime në kor.

 Tekniku i Vllaznisë, Tomas Brdariç, kapet në një moment me futbollistin e Teutës, Asion Daja, pas një përplasjeje të këtij të fundit me një shkodran. Për disa çaste komunikojnë të dy për atë përplasje në fushë

 Në një moment të mirë të shkodranëve në fushë, kur rezultati ishte ende në barazim, Brdariç kthehet nga tifozët dhe u bën me dorë duke kërkuar mbështetjen e tyre maksimale.

 Sakaq, nuk mungojnë as përplasjet e vogla në tribunë, ku një tifoz i Vllaznisë i kërkon shokut të tij të mos çohet në këmbë se i pengon pamjen. Ky i fundit ia kthen: “Këtu jemi në stadium, normal do të çohem edhe në këmbë për ndonjë rast”.

 Te dy golat e parë të Teutës ka tension te tifozëria shkodrane. Aleksi, shkon dhe feston përballë tribunës duke provokuar tifozët, të cilët hedhin bidonë dhe sende të tjera në fushë. Fakti që gjatë gjithë kohës u ofendua në kor, Aleksit i erdhi mundësia të “hakmerrej” me shënimin e atij goli. Ndërkohë, edhe te goli i Grudës, gjatë festimit në tribunën përballë, një tifoz shkodran hyn në fushë dhe përpiqet të kapet me futbollistët, por ndërhyjnë forcat e sigurisë për ta nxjerrë jashtë. Në këtë moment hidhen edhe stolat e stadiumit në fushë.

 Sherif Kallaku jep “show” në fushë, teksa në një moment nga fundi përdor edhe një finte turpëruese ndaj kundërshtarit. Në këtë moment i kthehet Da Silva, duke iu hakërryer pse bën veprime të tilla dhe nuk ka respekt për kundërshtarin.

 Në fund, edhe pse gjatë gjithë ndeshjes nuk munguan përplasjet në fushë, ka “Fair-Play”, pasi të gjithë takohen me njëri-tjetrin. Martini dhe Brdariç shkojnë të përgëzojnë edhe futbollistët kundërshtarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *