• Thu. Dec 2nd, 2021

AL2

…është media jote

Migjen Basha: Është e vërtetë, kam kontakte me disa ekipe shqiptare…

Byadmin

Aug 3, 2021

Migjen Basha është i hapur për të provuar një aventurë në futbollin shqiptar. Mesfushori brilant i Kombëtares, i cili ka shprehur largimin nga kuqezinjtë, deklaron në një intervistë për “Panorama Sport” se për momentin ka zgjedhur të jetë një futbollist i lirë, pasi po mendon që karriera e tij të ndërlidhet edhe me hapin e radhës: atë të pajisjes me diplomat e nevojshme për trajningun në të ardhmen.

34-vjeçari që numëron 33 ndeshje me Kombëtaren, analizon dyshen Bare-Gjasula dhe tregon se kë sheh më shumë pranë stilit të tij të lojës, ecurinë e Kombëtares post-”Euro 2016″, si dhe bën thirrje për të gjithë se çfarë duhet të bëjnë me këtë kontigjent që ka aktualisht Shqipëria. Basha është besimplotë se Kombëtarja mund të luftojë për vendin e dytë dhe tregon se çfarë duhet bërë për t’ia dalë mbanë.

migjen basha

Basha, si po shkon kjo periudhë duke qenë se jeni lojtar i lirë, çfarë planesh keni?

Jam lojtar i lirë sepse e kam vendosur vetë të jem i lirë. Ndoshta nuk beson askush, por nëse nuk më pëlqen oferta, nuk e pranoj edhe nëse nuk kam oferta konkrete nga të tjera klube. Personalisht, tashmë jam duke e menduar mirë të ardhmen dhe qëllimi është që të gjej një projekt që më pëlqen, të luaj futboll dhe në të njëjtën kohë të kem mundësinë të bëj diplomën A për trajner. Kjo do të ishte perfekte si zgjidhje. Të paktën këtë ide kam për momentin, por sa do të më realizohet, nuk e di. Duhet të presim deri në fund.

Emri juaj është lakuar së fundmi për interesime nga ekipe të ndryshme në Shqipëri, mes të cilave edhe Partizani. Si është e vërteta dhe a jeni gati për një aventurë në Superiore?

Mua më duket sikur çdo vit del emri im në Shqipëri (qesh…). E vërteta është se deri këtë vit nuk ka pasuar asnjëherë diçka të vërtetë.

Pra, është e vërtetë që këtë herë ka pasur interesime konkrete?

Po, kjo është e vërtetë.

Cili prej ekipeve ju ka kontaktuar?

Ju them që është e vërtetë se me disa drejtues nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, kam biseduar.

Një emër?

Ju lutem mos insistoni. Është jokorrekte nga ana ime të bëj me dije emra skuadrash, përderisa nuk ka diçka të përfunduar. Për t’ju dhënë përgjigje, nuk di nëse deri në fund të merkatos do të ketë apo jo diçka konkrete për ta finalizuar. Nuk e di, ndoshta një eksperiencë në Shqipëri do të jetë e mirë. Ta shohim…

Migjen, sa ju mungon Kombëtarja?

Normal që më mungon Kombëtarja dhe këtë e kam ditur që para se ta merrja vendimin për t’u tërhequr nga ajo. Emocionet e Kombëtares nuk i gjen tek asnjë klub. Mirëpo, unë e mendova dhe vendosa se ishte momenti i duhur për t’u larguar.

Si e keni parë nga jashtë këto kohë?

E kam ndjekur Kombëtaren, sigurisht, dhe e kam vënë re që po bëhet një punë shumë e mirë sepse janë afruar shumë lojtarë të rinj dhe më kualitet. Në vitet e ardhshme, kam besim se do të ketë rezultate pozitive nga Kombëtarja. Duhet besim dhe durim…

Çfarë ju ka bërë përshtypje për mirë te Kombëtarja, që ka përparim nga “Euro 2016”?

Pas “Euro 2016”, Kombëtarja kishe nevojë për ndryshim sepse në organikë kishte një brez me moshë të caktuar. Unë mendoj se janë zëvendësuar shume mirë dhe u gjetën lojtarë me perspektivë. Përveç lojtarëve, federata ka investuar edhe sa i përket infrastrukturës. Tanimë, besoj se Kombëtarja do t’i ketë të gjitha.

Bare-Gjasula, si i shihni në mesfushë?  Çfarë bëjnë siç duhet dhe çfarë këshille mund të jepte Migjen Basha?

Besoj se Gjasula është më shumë në rolin tim. Më duket që Bare është më shumë ofensiv. Jo, nuk kam asnjë këshillë për të dy sepse po e bëjnë shumë mirë punën e tyre dhe të vazhdojnë kështu.

Po në raport me dyshen Kukeli-Basha, e zëvendësojnë dot?

Sipas meje, nuk besoj se krahasohen këto dy dyshe. Secili ka stilin e vet. Ne kemi ndihmuar në të kaluarën dhe tashmë po e bëjnë ata. Rëndësi ka që secili nga ne ka menduar për të mirën e Kombëtares dhe jo për interes personal.

Si e keni parë shortin e Botërorit për Shqipërinë dhe çfarë opinioni keni për 3 ndeshjet e para kualifikuese që ka zhvilluar Kombëtarja?

Shqipërinë e pret short i vështirë, si çdoherë. Megjithatë, unë mendoj se duhet besim, kurajë dhe pak fat. Për diçka jam i sigurt, që çdo skuadër do ta ketë të vështirë me Kombëtaren tonë.

Sipas jush, cili duhet të jetë objektivi i Kombëtares?

Shqipëria duhet të mendojë që të bëjë sa më shumë pikë kundër Polonisë dhe Hungarisë se aty do të jenë shanset e Kombëtares. Shqipëria duhet që të mos gabojë në këto 4 ndeshje. Për të tjerat, Anglia më duket favorite, ama unë besoj që ne kemi shanset tona për të kapur edhe vendin e dytë.

Mavraj, në një prej intervistave, ka thënë: “Më dhimbsen ndonjëherë sulmuesit e Shqipërisë se duhet të mbrojnë më shumë sesa të kenë topa në sulm”.Si e keni parë manovrën e sulmit të Kombëtares?

E ka thënë të vërtetën, sepse realisht na kanë ndihmuar shumë në çdo ndeshje. Po, është e vërtetë që sulmuesit tanë, me punën që kanë bërë, na kanë sjellë rezultate të rëndësishme. Mirëpo, po të mos mbronim të gjithë, do të ishte e vështirë që të bënim rezultate. Ne kemi marrë rezultate të rëndësishme kundër skuadrave të mëdha, sepse kemi punuar të gjithë së bashku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *