• Sat. Nov 27th, 2021

AL2

…është media jote

Trajneri i AEL: Fitojmë 2-0 ndaj shqiptarëve! Brdaric tallet me qipriotët: Nuk kanë…

Byadmin

Jul 19, 2021

Trajneri i AEL Limasolit, Dushan Kerkez, ishte përgatitur për t’u përballur në turin e dytë të Ligës së Konferencës kundër boshnjakëve të Shiroki Brijegut. Mirëpo, Vllaznia bëri një përmbysje të madhe në “Loro Boriçi” dhe kjo ua prishi planet qipriotëve.

Portali “Kërkida.net”, pas miqësores që AEL-i zhvilloi ndaj Olimpiakos Nikosias (barazim 2-2), ka ngacmuar trajnerin serb të qipriotëve për Vllazninë. Ja çfarë shkruan portali në fjalë për trajnerin: “Dëshironte Shirokin, por si përfundim do të luajë me shqiptarët. Gjithsesi, pothuajse njëlloj është. Rëndësi ka që AEL të jetë në formë të enjten. Megjithatë, Dushan si i verdhë origjinal, na dha edhe parashikimin: fiton AEL-i 2-0”.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme ka pasur një reagim edhe nga menaxheri i përgjithshëm i klubit verdheblu nga Limaosli Theodoros Antoniou. Ky i fundit u bënte apel tifozëve që të mbështesin skuadrën të enjten, në mënyrë që kualifikimi të vendoset që në ndeshjen e parë. “Tifozët duhet të luajnë rolin e tyre, në mënyrë që kur të shkojmë në fushën e shqiptarëve, të jemi një hap më pranë kualifikimit. Skuadra është gati”, shkruante Antoniou.

Do të luhet në orën 16:30 dhe me temperatura që mund të shkojnë deri në 38 gradë gjatë zhvillimit të ndeshjes. Ky është një shqetësim i madh për trajnerin e Vllaznisë, Tomas Brdariç, në prag të takimit të parë me AEL Limasol, pikërisht të enjten në “Cirio stadium”.

Gjermani është rrëfyer dje për mediat qipriote, më konkretisht për “Kerkida.net” duke mos lënë pas as thumbimet për orarin. “Me sa duket dritat e stadiumit të AEL-it janë të prishura”, ka ironizuar Brdariç, ndërsa u është përgjigjur pyetjeve të gazetarit qipriot, Antonis Konstantinidis, duke zbuluar edhe një “martesë” të shkurtër në perëndim të karrierës së tij me rivalin e AEL-it Apollon Limasol.

Ju bëtë një përmbysje të madhe ndaj Shirokit. Mendoni se ky do të jetë për një motivim ekstra për Vllazninë në prag të ndeshjeve me AEL-in?

Për ne ndeshja e parë e humbur 3-1 ndaj Shirokit ishte një makth ose më saktë një fillim i keq. Por, ne shpejt mësuam nga gabimet tona dhe në një nivel të tillë, gjithmonë duhet të sillesh më profesionalisht në ndeshjet evropiane. Kjo ishte mënyra për të përmbysur me 3-0.

Ndeshja në Qipro do të fillojë në 16:30, me temperatura të larta. Sa mund të ndikojë kjo te skuadra juaj?

Dritat në “Cirio stadium” ndoshta janë dëmtuar. Megjithatë, ky orar i fillimit të ndeshjes është caktuar. Skuadrat duhet ta kishin shmangur lojën në temperatura kaq të nxehta. Sigurisht që nuk do të jetë përvojë e mirë për ne.

Çfarë dini për AEL Limasolin?

Unë kam studiuar AEL-in, si çdo kundërshtar tjetër. Ne duhet të tregojmë një lojë shumë konkurruese për të pasur shpresë. Kemi përballë një ekip shumë cilësor, me futbollistë të shkëlqyeshëm dhe me përvojë.

Cilin prej tyre mund të veçoni?

AEL-i ka shumë futbollistë. Unë njoh Slobodan Medojeviçin. Gjithashtu, Brajan Pele, Bruno Santos, Manuel Torres dhe kroatin Babiç. Janë lojtarë shumë interesantë.

Cilat janë karakteristikat e Vllaznisë dhe çfarë prisni nga këto dy ndeshje me AEL-in?

Ne jemi një ekip që luftojmë së bashku, përmirësohemi dhe rritemi. Punojmë shumë dhe përpiqemi të korrigjojmë gabimet tona. Unë jam një trajner që u kushtoj vëmendje edhe detajeve më të vogla. Kjo është ajo që kam mësuar si futbollist. Kur nuk i lini asgjë rastësisë, gjithçka mund të bëhet e mundur. Ne do të bëjmë më të mirën.

Dëshironi të punoni në një të ardhme në Qipro?

Kam qenë shumë afër të luajturit me futbollin qipriot. Isha në kontakt me Apollon Limasolin, por një dëmtim më privoi nga kjo mundësi. Jam shumë mirë te Vllaznia, por pa vdyshim Qipro është gjithmonë një destinacion interesant. Aktualisht jam duke u përqendruar për sfidën me AEL-in dhe se si mund ta kalojmë në fazën tjetër kundër një ekipi shumë cilësor.

A do të jeni i pranishëm në stol?

Po, unë e kam shlyer dënimin, edhe pse ende nuk e di arsyen (qesh).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *