• Fri. Dec 3rd, 2021

AL2

…është media jote

Flasin heronjtë e Vllaznisë: Nuk na besohet çfarë kemi bërë!

Byadmin

Jul 16, 2021

Përkundër humbjes 3-1 në Bosnjë dhe tërbimit për vendimet arbitrare të rusit Matyunin, Vllaznia ia doli të bënte një ndeshje perfekte në “Loro Boriçi”, duke shënuar tre herë në portën e Siroki Brijeg dhe duke siguruar kalimin për në turin tjetër të Ligës së Konferencës, ku do të përballet me qipriotët e AEL Limassolit.

Të tre golat e kuqebluve u shënuan në pjesën e dytë, teksa protagonistë ishin sulmuesi maqedonas Djurdjevic që dërgoi topin në rrjetë dy herë dhe mbrojtësi Eni Imami, që bëri një devijim me fat brenda zonës.

Në një “Loro Boriçi” që ziente nga tifozëria kuqeblu, menjëherë pas ndeshjes futbollistët e stafi teknik i shkodranëve nxituan t’i bashkohen festës me fansat, ndërsa më pas rrëfyen edhe për mediat, emocionet e përjetuara në këtë takim.

Sulmuesi maqedonas, Djurdjevic u shfaq i kënaqur me golat e shënuar, teksa theksoi se Vllaznia arriti një kualifikim më se të merituar, pasi ishte skuadër më e mirë se Siroki Brijeg.

“Më vjen mirë që arrita të shënoj dy herë dhe t’i jap kualifikimin skuadrës. Në ndeshjen e parë ndodhi ajo që e pamë të gjithë, por ishte një kualifikim tërësisht i merituar, pasi treguam se jemi skuadër më e fortë se Siroki. Tani të mendojmë për ndeshjen tjetër ndaj AEL-it, ku do të luajmë shanset tona”, deklaroi Djurdjevic pas ndeshjes.

Protagonist jo vetëm me saktësinë në mbrojtje, por edhe me golin e dytë në ndeshjen e djeshme, u bë edhe mbrojtësi Eni Imami, që ndër të tjera zbuloi se po luan takimet e fundit me kuqeblutë, pasi ka firmosur tashmë me Dinamon.

May be an image of 1 person

“Ishim shumë të karikuar, sidomos pas humbjes së padrejtë një javë më parë dhe e dinim që do të kualifikoheshim. Unë tashmë jam një lojtar i Dinamos dhe do t’u bashkohem atyre vetëm pas përfundimit të angazhimit në Europë me Vllazninë, megjithatë jam shumë i lumtur që u kualifikuam dhe uroj të ecim sa më gjatë, pasi kam kaluar një vit të mrekullueshëm në Shkodër. Jam gjithashtu shumë i lumtur që më në fund shijova tifozërinë e zjarrtë shkodrane si futbollist i Vllaznisë, pasi gjithmonë i kam parë si kundërshtar”, deklaroi Imami.

Nuk i fshehu emocionet as kapiteni Erdenis Gurishta, që i gëzohet rikthimit të Vllaznisë në Europë pas plot 10 vitesh dhe mbi të gjitha një përmbysjeje të tillë, teksa zbulon edhe bisedën me trajnerin Brdaric e arbitrin suedez Sjoberg.

“Ishte një ndeshje e madhe dhe një përmbysje tërësisht e merituar. Besonim shumë që do t’ia dilnim dhe në ndihmë na erdhi edhe tifozëria, që ka qenë gjithmonë lojtari i 12 për ne. Trajneri Brdaric na këshilloi të bëjmë ndeshjen tonë dhe kështu ndodhi. Jam i kënaqur që Vllaznia rikthehet në Europë pas shumë vitesh dhe bën një ndeshje të tillë. Mbështetja e tifozëve ishte e jashtëzakonshme dhe arbitri suedez më tha se kishte kohë që nuk shihte një tifozëri të tillë në shkallët e stadiumit”, tha kapiteni Gurishta.

Me Brdaric në tribunë për shkak të pezullimit, detyrën e drejtimit të skuadrës në fushë e kishte ndihmësi i parë i tij, Elvis Plori, i cili dha orientimet e duhura për të çuar kuqeblutë drejt një kualifikimi madhështor.

“Ishte një mrekulli, pasi shënuam të tre golat në pjesën e dytë, në një atmosferë të jashtëzakonshme. Kishim besim se do t’ia dilnim që kur u hodh shorti, dhe ky besim na u shtua edhe pas humbjes së parë në mënyrë të padrejtë. Sot ndryshuam në emra e vendosje, pasi e nisëm me dy sulmues e një futbollist që bllokoi organizatorin e tyre, i cili na vuri në vështirësi në ndeshjen e parë. Më pas edhe rikthimi i tifozërisë, që na kishte munguar shumë. Me ata në tribunë, ka gjithmonë një tjetër Vllazni, shumë më të fortë”, tha Plori.

Në fund nuk mungoi para kamerave as njeriu që riktheu Vllazninë në nivelet ku i takon, sponsori Alban Xhaferri, i cili zbuloi një prapaskenë nga biseda me Plorin dhe premtoi një shpërblim të majmë për futbollistët.

Plori: Shumë e rëndësishme të fitonim pas Kukësit, Vllaznia me fizionomi –  SuperSport

“Një kualifikim i merituar plotësisht, pasi besonim shumë që do t’ia dilnim dhe kështu ndodhi. Profesor Plori më tha që do të kualifikoheshim edhe po të shënonim golin e parë në minutën e 90’, ndaj kisha besim gjatë gjithë lojës, ndonëse nuk gjetëm golin në pjesën e parë. Tani e kemi mendjen te ndeshja e radhës, pasi duam të përballemi si të barabartë me të gjithë kundërshtarët dhe të luajmë shanset tona. Ne jemi gjithmonë pranë skuadrës dhe për këtë kualifikim u kemi premtuar 50 mijë euro shpërblim”, tha Xhaferri.

Në turnin e ardhshëm kuqeblutë do të përballen me qipriotët e AEL Limassolit, me ndeshjen e parë që do të zhvillohet më 22 korrik në orën 18:00 në Qipro dhe takimin e kthimit një javë më vonë në Shkodër, në një orar që mbetet për t’u përcaktuar nga drejtuesit e klubit të Vllaznisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *