• Thu. Dec 2nd, 2021

AL2

…është media jote

Heroi Schmeichel nuk i mjafton Danimarkës, Anglia gjen Italinë në finale (VIDEO)

Byadmin

Jul 7, 2021

55 vjet vuajtje kurrë nuk e kishin ndalur ëndrrën, me futbollin që vazhdon rrugën drejt shtëpisë, ashtu si në këngën e famshme të “3 luanëve”. Anglia, 55 vjet nga finalja e vetme në një kompeticion madhor, për herë të parë në histori mundi të sigurojë finalen e parë të një Europiani.

E bëri në shtesë ndaj Danimarkës 2-1, me një gol të Kane, pas një 11-metërshi jo pak të diskutueshëm dhe me Sterlingun, që ishte protagonisti i madh, me lojën e tij mbi të gjitha, pasi për numrin e rasteve të humbura, vazhdon të mbetet po aq unik sa dhe vendimtar.

Një mbrëmje nga ato të cmendurat për “Wembley”-n, me Danimarkën që nuk doli kurrsesi si e humbur nga ky Europian, por ashtu si në çdo garë duhet të ketë gjithmonë një fitues. Në shtëpinë e “tre luanëve”, të bindur se më në fund Kupa e Europës do të vinte në shtëpi, për Danimarkën, hirushen e këtij europiani, që ashtu si në 1992 kërkoi të ishte princesha e ballos së madhe, nuk ishte aspak e thjeshtë sidomos ndaj një Anglie që u përpoq të ishte mbytëse që në minutat e para.

Me një lojë të zgjuar dhe shfrytëzues në maksimum të goditjeve të dënimit, danezët gjetën rastin e duhur për të lëshuar goditjen e tyre me Damsgaard që la të shtanguar Pickford në portë, për epërsinë e skandinavëve. Goli ngriu tribunat e “Wembley”-t, por jo fushën, ku Sakha në dy raste të menjëhershme tregoi se pse është ndoshta gjetja më e madhe e Southgate në këtë kompeticion, ashtu si dhe Sterling konfirmoi se është i shpejtë dhe në shpërdorimin e rasteve teksa në të 38-tën ja dërgoi topin në trup Schmeichelit, ndërsa një minutë më pas mendoi Kjaer për ta papraprirë në goditje për golin e barazimit.

Goli u duk sikur shkundi nga themelet “Wembley”-n dhe Anglinë që në pushim shkoi në barazim, por prej aty doli me ide të qarta për ta fituar sfidën, vetëm se nuk bënë llogaritë me Schmeichel që në të 55-ën tregoi se është i denjë për emrin që mban mbi supe kur ndali Maguire me një zgjatje fantastike.

Anglia ishte dominuese dhe njëherë tjetër u nevojit sërish Schmeichel për të larguar rrezikun. Shpresat e Anglisë për të shmangur zgjatjen u shuan në këmbët e Kane në të 97-tën, dhe futbolli shkoi në shtesë dhe ende jo në shtëpi.

Gjithsesi drejtimin për në shtëpi duhet t’ia jepte Anglia, por në më tepër se një rast u ndal te muri i Schmeichelit, përpara se Sterling të bënte atë që bën më mirë, depëtimin me shpejtësi në zonë dhe fitimin e faullit që solli 11-metërshin e ëndrrave.

Nga pika e bardhë, Kane u bë princi Harry edhe pse Schmeichel e ndali goditjen e parë, por nuk mund të bënte asgjë tek e dyta.

Anglia tashmë ishte shumë pranë finales së parë europiane dhe në “Wembley” atmosfera ndihej e tëra. Gjithsesi Danimarka nuk kishte ndërmend të dorëzohej dhe Braithwaite detyroi Pickford në të 114-tën të zgjatej për të shmangur barazimin.

Vërshëllima e fundit e kryesorit holandez, çoi peshën ëndrrën e anglezëve, me futbollin që tashmë duhet të vendosë nëse do të shkojë në shtëpi, apo të gjitha rrugët do ta çojnë në Romë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *