• Thu. Dec 2nd, 2021

AL2

…është media jote

Italia ekipi i parë në 1/8-at, mposht me lehtësi Zvicrën (VIDEO)

Byadmin

Jun 16, 2021

Italia mposht Zvicrën me rezultatin 3-0 dhe bëhet skuadra e parë që siguron kalimin për në fazën e 1/8-ave të Kampionatit Europian, ndonëse ka ende edhe një ndeshje në grup, atë ndaj Uellsit 4 ditë më vonë.

Pas startit bindës në ndeshjen hapëse të Euro 2020-ës ndaj Turqisë, “të kaltrit” e Robeto Mancinit u konfirmuan edhe në sfidën përballë përfaqësueses helvete, ku dominuan dhe morën një tjetër 3-pikësh.

Sfida nisi e qetë për të dy skuadrat, me italianët që ishin vendosur mirë mbrapa dhe prisnin rastin e duhur për të goditur, teksa në minutën e 19’ ishte Giorgio Chiellini që dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua nga VAR për një prekje me dorë.

Vetëm 5 minuta më vonë kapiteni i “të kaltërve” u dorëzua, pasi u largua nga fusha e lojës i dëmtuar dhe i la vendin mbrojtësin të Lazios, Francesco Acerbi, i cili u përshtat mjaft mirë në krah të Bonuccit.

Sfida u zhbllokua në minutën e 26’ dhe protagonistë ishin dy futbollistët e Sassuolos, Domenico Berardi e Manuel Locatelli, me të parin që dha asistin dhe mesfushorin që nisi aksionin e më pas shkoi në zonën e vogël për të shtyrë topin në rrjetë.

Pjesa e dytë nis me Zvicrën më agresive, por italianët nuk lënë hapësira dhe zbresin rrezikshëm, teksa në minutën e 52-të ishte sërish Locatelli që lëshoi një goditje të kalibruar nga distanca dhe dërgoi topin në rrjetë, duke dyfishuar avantazhin.

Image

Reagimi i helvetëve ishte i vakët dhe Zuber lëshoi gjuajtjen e vetme drejt portës italiane, por Donnarumma u tregua i gatshëm të ndalë topin që po shkonte drejt rrjetës, ndërsa më pas mbrojtja largoi rrezikon.

Me avantazhin e dy golave, Mancini ka luksin edhe të eksperimentojë, pasi aktivizoi Chiesën dhe Toloin, për të kaluar nga skema 4-3-3 në atë 3-5-2, një tjetër rreshtim që futbollistët e tij e interpretuan më së miri në fushën e lojës.

Nuk mund të mungonte edhe goli i Ciro Immobiles, që pasi dështoi në dy raste të gjejë portën e Sommer nga brenda zonës, dërgoi topin në rrjetë me një gjuajtje të bukur nga distanca në minutën e 89’, duke vulosur edhe suksesin 3-0 të “të kaltërve”.

Kjo ishte ndeshja e 10 radhazi pa pësuar gol për Italinë, që me dy fitore në po kaq takime në Euro 2020, ngjitet në krye të grupit A me 6 pikë dhe ndaj Uellsit do të ketë nevojë vetëm për një barazim që të ruajë kryesimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *