• Thu. Dec 2nd, 2021

AL2

…është media jote

Konferenca për media/ Reja & Gjimshiti: Çekia, kundërshtar i fortë. Japim maksimumin

Byadmin

Jun 8, 2021

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë ditën e nesërme ndeshjen e dytë miqësore të planifikuar për muajin qershor ndaj Republikës Çeke në transfertë.

Në prag të ndeshjes, në një konferencë zyrtare për mediat kanë dalë trajneri i ekipit Kombëtar, Edoardo Reja dhe mbrojtësi Berat Gjimshiti, të cilët kanë folur për këtë sfidë.

Berat Gjimshiti, teksa iu përgjigj interesit të medias, foli për ndeshjen e zhvilluar ndaj Uellsit, duke vlerësuar paraqitjen e skuadrës si dhe u shpreh se skuadra do të japë maksimumin ndaj Çekisë, pavarësisht se çekët janë skuadër shumë e fortë.

Çekia? –Jam dakord për paraqitjen pozitive ndaj Uellsit. Ka sigurisht gjëra që mund të përmirësohen. Skuadra çeke është një skuadër me të njëjtin nivel fizik dhe besoj që në sulm janë disa lojtarë me cilësi, të cilët disa i njohim dhe luajnë në Europë. Do japim maksimumin tonë për t’ia dalë për të fituar ndeshjen.

Mbrojtja jonë dhe sulmi çek? – Vendos trajneri se kush do luajë në treshen e mbrojtjes por ai që do luajë do të jetë 100% në formë dhe do japë maksimumin e tij. Çekia ka cilësi në sulm që duhet të japim maksimumin dhe besoj do ia arrijmë nëse do jemi të përqëndruar.

Si të përmirësojmë sulmin? – Në stërvitje e merr vetëbesimin çdo lojtar. Pastaj futbolli nuk është i njëjtë, si luaj tek Atalanta, si këtu, sepse çdo lojtar ka stilin e tij të lojës, por besoj që çdo lojtar ka edhe mundësinë për të dhënë më shumë, sidomos në fazën offensive, që fillon te mbrojtësi, që jep topin e parë dhe përfundon te sulmuesi. Nuk është vetëm sulmuesi,

Ndeshje me grintë si me Uellsin? – Besoj që po, besoj që grinta na jep neve sigurinë në fushë. Besoj është edhe në venat tona si shqiptarë, që të japim maksimumin në fushë.

Trajneri Edoardo Reja vlerësoi shumë kundërshtarin, duke bërë një analizë të skuadrës çeke, si dhe theksoi se në këtë ndeshje pret që skuadra të shfaqë përmirësim sidomos në fazën sulmuese. Sa i përket formacionit që do të hedhë nesër në fushë, tekniku kuqezi u shpreh se ende nuk ka vendosur.

Ndryshimet me Çekinë – Pas një ndeshje të lodhshme me Uellsin, sigurisht që do të duhet të bëja edhe vlerësimet e mia për grupin që kam. Ishte një ndeshje impenjative dhe lojtarët kanë shpenzuar shumë energji. Do të pres deri nesër në mëngjes që të marr një vlerësim për të gjithë lojtarët që u aktivizuan për 90 minuta por edhe për të tjerët, edhe pastaj do të marr një vendim dhe do të vlerësoj gjendjen e gjithësecilit prej tyre. Unë mendoj se Çekia është në një nivel me Uellsin si kundërshtar, kanë lojtarë shumë të shpejtë dhe që luajnë shumë mirë në kundërsulm dhe ajo që është më e rëndësishme, nuk humbasin aspak kohë. Luajnë shumë mirë me topat e gjatë, dinë t’i shfrytëzojnë shumë mirë hapësirat dhe të vënë në vështirësi në çdo moment. Sigurisht ne presim që të shfaqim përmirësime në këtë ndeshje, sidomos në fazën sulmuese dhe siç e kam thënë dhe në ndeshjen me Uellsin, duhet të jemi më të zotë në pjesën e kundërsulmueve. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për faktin që mbrojtja është repart i konsoliduar dhe ka bërë shumë mirë, por duhet të bëjmë përmirësime në fazën sulmuese dhe të tregojmë që kemi bërë hapa përpara. Kjo ndeshje është vërtetë një test për ne, në mënyrë që të provojmë sa më shumë në fazën sulmuese dhe të provojmë sa më shumë raste. Jam i bindur që do të përmirësohemi më kalimin e kohës dhe do e shohim që te kjo ndeshje.

Humbja e Çekisë ndaj Italisë – Sigurisht që në një ndeshje miqësore nuk është njësoj si një ndeshje zyrtare. Në ndeshjet miqësore, sidomos në këtë moment skuadrat bëjnë fazën kualuduese fizike përpara nisjes së Europianit dhe fokusi dhe përqëndrimi nuk është njësoj si në miqësore dhe në zyrtare. Mund të them që Çekia është një kundërshtar shumë i fortë, me lojtarë shumë të aftë, sidomos në fazën sulmuese por duhet të pranojmë që Italia është një nga ekipet më të forta në Europë për momentin, që nuk ka pësuar asnjë humbje në eliminatoret e Europianit dhe ka një skuadër me shumë vlera. Një nga kandidatët për të fituar Europianin sipas mendimit tim, së bashku me Francën dhe Anglinë. Por sigurisht Uellsi dhe Çekia janë dy skuadra që mund të jenë elementë surprizë në këto finale dhe mendoj se duhen respektuar.

Sulmi nesër? – Sigurisht që do ketë ndryshime dhe do shikoj deri në moment të fundit, qoftë dhe formën e Seferit dhe Cikalleshit dhe do tëmarr në konsideratë deri nesër në mëngjes, kur unë të bëj analizat e mia dhe do të vendos se cilët lojtarë do të hedh në sulm. Edhe në mesfushë mbase do të kem ndonjë ndryshim, por do të flas me lojtarët se si ndihen, nëse një pjesë e tyre ndihen mirë, sigurisht që do t’i marr parasysh dhe pastaj do të marr vendim. Patjetër që edhe në pjesën e dytë të takimit do të ketë ndryshime në formacion dhe do të përpiqem të aktivizoj të gjithë lojtarët patjetër, por luajmë kundër një skuadre të fortë si Çekia, kështu që kam bindjen se duhet të luajmë me lojtarët që janë më shumë në formë dhe që kanë më shumë eksperiencë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *