• Thu. Dec 2nd, 2021

AL2

…është media jote

Vllaznia-Brdaric, sot vendoset gjithçka! (PRAPASKENAT)

Byadmin

Jun 7, 2021

Vllaznia dhe Tomas Brdariç, sipas të gjitha gjasave, do të vendosin sot përfundimisht nëse do të vazhdojnë ose jo bashkëpunimin pas atij sezoni fantastik, ku fituan Kupën e Shqipërisë dhe humbën titullin vetëm në sajë të golavarazhit.

“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në klubin shkodran se sot sponsori Alban Xhaferi, duke pasur edhe bekimin e kryebashkiakes Voltana Ademi, do të ulet për të bërë bisedimet e fundit me Brdariçin rreth rinovimit të marrëveshjes edhe për një sezon, por me kushte të tjera.

Mësohet se oferta e parë e dhënë nga klubi nuk shkon në sinkron me atë që ka kërkon gjermani. Megjithatë, palët pritet të gjejnë një rrugë të mesme, qoftë për rrogën, ku Brdariç ka kërkuar rritje, e gjithashtu bonuset në rast të arritjes së objektivit.

Natyrisht, për t’u riparë janë edhe çështjet e tjera teknike sa i përket skuadrës dhe mbi të gjitha lëvizjeve në merkato. Në këtë periudhë ofertat në drejtim të Brdariçit nuk kanë munguar, duke filluar me Kukësin në Superiore dhe për të vazhduar me Ballkanin në Kosovë.

Klubi nga Suhareka mësohet se i ka bërë ofertën më të mirë trajnerit, duke i dhënë një pagë më të madhe se Vllaznia, teksa në total do të përfitonte 80 mijë euro në sezon.

Megjithatë, burime pranë trajnerit i thanë dje gazetës se gjermani u ka bërë të ditur edhe miqve të tij në Shkodër, por jo vetëm atyre, se në këtë situatë i intereson më mirë të pranojë rinovimin te Vllaznia sesa të bëjë një aventurë në Kosovë.

Gjithashtu, trajnerit i pëlqen vazhdimi me skuadrën shkodrane edhe për faktin se mundësitë që ka në klube jashtë Shqipërisë, nuk janë në nivelet e pritshme për vetë gjermanin.

Jagellonia në Poloni ka qenë një opsion i mirë, por me sa duket kontaktet mes Brdariçit dhe drejtuesit të këtij klubi nuk kanë shkuar pozitivisht. Gjithsesi, çdo gjë do të vendoset sot, ku shanset më të mëdha janë që trajneri të pranojë vazhdimin e projektit me Vllazninë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *