• Sat. Dec 4th, 2021

AL2

…është media jote

Gurishta: Partizani ankohet kot, nuk na kanë mundur asnjëherë këtë sezon!

Byadmin

May 25, 2021

Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, ka ende besim se kuqeblutë do të arrijnë te titulli. Megjithatë, sipas mbrojtësit të djathtë, skuadra në këtë sezon ka treguar se është më e mira. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gurishta u përgjigjet edhe ankesave që kanë të kuqtë, por nuk rri pa thumbuar as Teutën.

Keni thënë para ndeshjes me Partizanin në Shkodër se tani duan vetëm të mos shpallet kampione Teuta, por fitorja juaj u dha një asist durrsakëve. Si mendoni tani?

Unë e kam thënë në formë batute, çfarë mendojnë tifozët pas deklaratës të kapitenit të Teutës. Nuk i shkon për shtat një kapiteni të tallet me këngë që i dedikohet djepit të futbollit shqiptar dhe djepit të fillimeve të të gjitha sporteve. Ajo këngë u kushtohet të gjitha sporteve në Shkodër. Gjithsesi, fitorja jonë kundër Partizanit ishte për t’i treguar se cili ekip është më i mirë.

Ndodhi ajo që kishit parashikuar apo e prisnit më të vështirë ndeshjen me Partizanin?

Në Tiranë kishim shkuar vetëm për tri pikë, por e dinim që do të ishte ndeshje e vështirë dhe ai ekip që do të tregohej më cinik, do ta fitonte ndeshjen.

Te Teuta ka nisur festa. Ju habit ky fakt apo kundërshtari e merr të mirëqenë fitoren me një diferencë golash ndaj Apolonisë?

Teuta ka të drejtën e vet të festojë, është e favorizuar në javën e fundit, sepse luan kundër Apolonisë dhe ne luajmë kundër Laçit. Gjithsesi, do të presim javën e fundit për të mësuar verdiktin final.

Mendoni se ju ndaj Laçit mund të shënoni më tepër se Teuta kundër Apolonisë?

Futbolli është i paparashikueshëm shumë herë. Ne do të japim maksimumin për ta fituar ndeshjen kundër Laçit. Të tjerat nuk janë në dorën tonë.

Keni një mesazh për lojtarët e Apolonisë, duke qenë se nga angazhimi i tyre mund të vendoset titulli?

Thjesht të bëjnë detyrën e tyre dhe të respektojnë kampionatin. Asgjë më shumë nuk do të kërkojmë.

Te Partizani ndihen të vjedhur, duke gjykuar se penalltia që iu akordua Vllaznisë nuk ishte. Keni një koment për këtë?

Besoj se në fundin e lojës të gjithë ishin dakord që fitoi ekipi më i mirë. Në qoftë se do të fitosh kampionatin, në katër ndeshje me rivalin direkt duhet të fitosh të paktën një herë apo të shënosh një gol.

Çfarë keni biseduar me shkodranët e Partizanit, Hakaj dhe Çinari, me të cilët bëtë edhe një foto para ndeshjes?

Si për Çinarin dhe Hakajn më vjen shumë mirë, sepse këtë vit kanë qenë ndër lojtarët më në formë të Partizanit. Unë të dy i njoh për vlerat që kanë që herët. Para ndeshjes me Çinarin pata një bisedë dhe i thashë se ekipi që fiton është ekipi më i mirë i këtij sezoni.

Ju kanë karikuar deklaratat e trajnerit Martini para ndeshjes më Partizanin apo nuk kanë ndikuar?

Me thënë të drejtën, nuk ka nevojë një deklaratë që të më karikojë. Mua më karikon dhe më motivon vetëm fanella që mbaj veshur.

Nëse Teuta shpallet kampione pas ndeshjes së fundit, çfarë do të mendoni?

Nëse Teuta shpallet kampione, do t’ia urojmë titullin.

Do t’ju vinte keq që pas këtij supersezoni nuk do të shpalleshit kampionë?

Sigurisht që do të na vinte keq sepse kemi qenë ekipi që kemi kryesuar më së shumti që nga fillimi deri në fund, por gjithsesi sido që të shkojë, jam i lumtur dhe krenar për të gjithë shokët e ekipit.

Cila do të jetë e ardhmja juaj? Klubi e ka konfirmuar rinovimin?

Do të kisha pasur dëshirë të provoja një kampionat më të fortë, por çfarë të jetë e shkruar le të ndodhë, ndërsa e ardhmja ime në Shqipëri është e konfirmuar te Vllaznia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *