• Thu. Nov 25th, 2021

AL2

…është media jote

Partizani ende nuk e ka zyrtarizuar, Çinari ka firmosur me Samsunsporin! (DETAJET)

Byadmin

May 24, 2021

Erald Çinari do ta mbyllë aventurën me Partizanin, pas përfundimit të sezonit. Sulmuesi shkodran do ta vazhdojë karrierën në Turqi, aty ku pritet të jetë pjesë e skuadrës së Samsunspor, në Ligën e Parë turke.

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se lojtari ka firmosur parakontratë me klubin turk prej dy javësh dhe është e sigurt që do ta vazhdojë karrierën aty.

Palët kanë qenë në bisedime prej kohësh dhe pas shumë diskutimeve kanë arritur marrëveshjen që nga sezoni i ardhshëm, lojtari të jetë pjesë e Samsunsporit. Çinarit i përfundon kontrata me Partizanin në fund të këtij sezoni dhe do të largohet si lojtar i lirë.

DETAJET E KONTRATËS – Çinari ka nënshkruar një kontratë 4- vjeçare me ekipin turk dhe do të përfitojë plot 500 mijë euro. 24- vjeçari do të përfitojë 125 mijë euro në sezon, rreth 10 mijë euro në muaj. Në Turqi klubet kanë kontrata sezonale 12-mujore dhe Çinari do të marrë diçka më shumë se 10 mijë euro çdo muaj. Një kontratë shumë e mirë për mëngjarashin shkodran, që sezonet e fundit ka treguar se është një ndër më të mirët në Superiore.

STATISTIKAT – Pas heqjes së dënimit, sulmuesi ka luajtur në 21 ndeshje për të kuqtë këtë sezon ku ka arritur të shënojë 8 gola. Çinari ka një mesatare shumë të mirë golash, me një gol në çdo 200 minuta. Edhe pse ka luajtur shumë më pak se golashënuesit e tjerë, Çinari është një ndër goleadorët më të mirë në Superiore e për më tepër, ka shënuar në ndeshje vendimtare, siç ishte derbi i kryeqytetit kundër Tiranës apo transferta në Durrës kundër Teutës.

HISTORIKU – Sa u takon transferimeve, Çinari ka një histori tepër të komplikuar. Në verën e vitit 2018, sulmuesi shëtiti mes disa ekipeve. Pas largimit nga Vllaznia, firmosi fillimisht me Alavesh në Spanjë, për të kaluar për pak ditë tek Istra në Kroaci. E gjithë kjo situatë, bëri që asgjë të mos konkretizohet, me Vllazninë që gjeti akord me Patizanin.

Pas këtyre parregullsive futbollisti shkodran u dënua me 4 muaj pezullim, ndërsa Partizani me bllokim merkato në verë. Klubi dhe lojtari kanë qenë të detyruar të paguajnë edhe një dëmshpërblim prej 83 150 eurosh për kroatët. Shuma tani i mbetet për ta shlyer Partizani nëse mbetet në fuqi, pasi Çinari ikën në Turqi me parametër zero dhe pa asnjë qindarkë të arkëtuar në llogarinë e Partizanit. Tjetër manovër e gabuar e klubit që lë të ikë falas një nga xhevahiret e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *