• Mon. Nov 22nd, 2021

AL2

…është media jote

Vllaznia mposht Partizanin, Laçi nuk ia del ndaj Teutës e cila vrapon drejt titullit, Skenderbeu shpëton, Tirana…!

Byadmin

May 21, 2021

Me dorë apo jo? Është një episod që do të mbahet mend gjatë, është episodi vendimtar i një ndeshjeje të madhe ai që ka në qendër Belicën, për arbitrin është penallti. Episodi vendimtar i një fitoreje të madhe të Vllaznisë në kryeqytet, që, falë tij, triumfon 1-0 ndaj Partizanit me golin e Herald Markut. Vlllaznia mbetet në lojë për titullin deri në fund në finalen me Laçin, me kuotë të njëjtë pikësh me Teutën, që e favorizuar në golaverazh luan me Apoloninë, por me siguri sido që të shkojë kuqeblutë e kanë fituar këtu kampionatin e tyre.

Në fushë, respekt i ndërsjellë mes Ilir Dajës dhe Thomas Brdaric. Me 4-3-3 formacioni i Partizanit në tredhëmbëshin Cara-Çinari-Lucas, te Vllaznia në stol Haris Dilaver dhe Demir Imeri, me Da Silvan, Krujën dhe Jonuzin në mbështetje të Avdijajt. Nis kështu një ndeshje e rivalizuar, me Vllazninë që jep sinjalin e parë, në një goditje këndi Imami e çon me kokë sipër traversës. Partizani përgjigjet me një pasim filtrues, që nxjer në zonë Lucas Cardozon, Zogovic devijon goditjen e brazilianit. Bashkatdhetari i tij në kampin tjetër, Viktor Da Silva, i shpëton Muratajt për të lëshuar një gjuajtje që shkon sipër traversës.

Vllaznia luan me personalitet dhe krijon një epërsi edhe pse të lehtë, në të 20-ën Kruja detyron Alban Hoxhën të bëjë një superpritje në goditjen e tij me kokë. Pak më vonë ka një rrëzim në zonë të Avdijajt, loja vazhdon rregullisht dhe edhe përsëritjet e imazheve nuk krijojnë bindjen për një pengim të tijin nga Bardhi në rrëshkitje e sipër.

Shumë më larg kornizave të 11-metërshit një rrëzim pastaj i Çinarit në krahun tjetër të fushës. Shkodrani është i rrezikshëm për skuadrën e qytetit të tij në një goditje prirët grushton Zogovic dhe nuk arrijnë të përfitojnë në kthimin e topit. Alban Hoxha, në krahun tjetër, është një garanci e fortë për Partizanin, në lartësinë e duhur edhe në një veprim të bukur individual të Da Silvës. Kapiteni i kuq bën më pas edhe një tjetër ndërhyrje vendimtare në goditjen në hyrje të zonës nga Jonuzi dhe mbyllet me rrjeta të paprekura një pjesë e pare, me Vllazninë që ka krijuar diçka më shumë.

E dyta është akoma më spektakolare. Nis me një ndërhyrje të gabuar të Brojës, që merr kartonin e verdhë dhe humb ndeshjen e fundit, i irrituar Ilir Daja debaton me Jorgjin, që lexohet qartë se e paralajmëron se do ta nxjerrë përjashta nëse vazhdon. Partizani kërcënon pas një ore lojë me Muratajn, që nuk gjen dot katërkëndëshin. Vllaznia është më e qartë, krijon një aksion model me Imamin, që pason nga e majta, Kruja, në zone, godet, por pret mrekullisht Alban Hoxha. Në ditë të mirë “gardiani” i kuq, që është sërish vendimtar, pak më vonë, teksa i paraprin Avdijajt në një tjetër inkursion të rrezikshëm të shkodranëve.

Të kuqtë përgjigjen me një silurë nga distanca të Hektor Idrizajt, që përfundon jashtë, deri sa në të 72-ën vjen momenti kyç i takimit. Kruja provon me një goditje brenda zonës, arrin ta kthejë në ndërhyrje Idrizaj, sulmuesi i Vllaznisë provon sërish dhe me portierin në tokë, topi ndalet nga Belica. Te Vllaznia pretendojnë menjëherë se ka qenë me dorë, Jorgji nuk është i sigurt, duhen disa sekonda komunikim me asistenit pas porte Bajramaj që më në fund të tregojë pikën e bardhë, penallti për Vllazninë pavarësisht prostestave të kuqe, për një rast të destinuar të diskutohet gjatë. Gjithsesi, në duelin e 11-metrave Herald Marku mashtron Alban Hoxhën për golin më të rëndë të kampionatit.

Vllaznia në avantazh në “Air Albania”, shpërthen festa kuqeblu në fushë stol e madje dhe tribuna, është goli që çon kuqeblutë në krye të klasifikimit. Partizani reagon me një goditje me kokë të Bardhit, sipër traversës, por pavarësisht përpjekjeve në minutat e mbetura, Vllaznia administron me autoritet, duke mos lejuar madje asnjë rrezik serioz, deri në 5 minutat e shtesës falë qartësisë e sakrificës së skuadrës shkodrane. Çinari gabon në shtesë dhe festa është e tëra e Vllaznisë. Teuta është në të njëjtën kuotë pikësh me kuqeblutë, bilancin e kanë të barabartë në përballjet direkte dhe në golaverazhin e përgjithshëm Teuta ka vetëm një gol më shumë. Problemi është se në sfidën e fundit, Vllaznia përballet me Laçin që ka 61 pikë, ndërsa Teuta me Apoloninë, që i ka larë duart me çdo objektiv.

Nuk ka fitues në përballjen mes Laçit dhe Teutës, me skuadrat që janë ndarë në barazim pa gola.

Ky rezultat i bën më shumë punë Teutës, që tashmë e shikon veten në vendin e parë me 63 pikë, po aq sa Vllaznia, që mposhti ditën e sotme Partizanin. Ndërkohë Laçi zbret në vendin e katërt, me 61 pikë, një javë para fundit të kampionatit.

Kurbinasit i shkuan shumë afër golit të avantazhit, por Frashëri me disa ndërhyrje të shkëlqyera, ia doli të mbajë portën e paprekur.

Durrsakët tashmë kanë vënë një dorë te titulli kampion, pasi kujtojmë se javën e fundit luajnë me Apoloninë, që ka rënë matematikisht në Kategorinë e Parë, ndërsa Laçi luan me Vllazninë.

Në Superiore janë mbyllur dy takimet e luftës së mbijetesës, teksa tre ndeshjet e tjera u nisën me 15 minuta vonese për shkakun e mungesës së ambulancës në përballjen mes Partizanit dhe Vllaznisë. Skënderbeu i Memellit ka mbijetuar zyrtarisht në Superiore pas fitores në shifrat 2-1 ndaj Kukësit. Korçarët kaluan në avantazh me Marën dhe Zhan Viktor, ndërsa perla e Ibrahimit nga distanca do të shërbente për statistikë. Kur ka mbetur edhe një ndeshje nga fundi, Skënderbeu ka 5 pikë më tepër se Kastrioti i vendit të “Play-Out”.

Matematikisht i shpëtuar, por finalja e mbijetesës ka prodhuar portretizimin e skuadrës që do të largohet nga elita. Kastrioti ka barazuar 1-1 ndaj Bylisit ku pas golit të Beji ishte autogoli i Carkanji që i dha festën e madhe krutanëve. Këta të fundit kanë një pikë më tepër se Bylisi dhe ndeshjen e fundit do ta zhvillojnë kundër Kukësit, ndërsa ballshiotët që duken të larguar nga Superiorja do të gjejnë përballë Partizanin që kërkon titullin kampion.

May be an image of standing, playing a sport, grass and stadium

Tirana nuk arrin të fitojë ndaj Apolonisë në raundin e parafundit të Superiores por mbetet edhe matematikisht jashtë Europës. Në “Loni Papuçiu” u luajt një ndeshje e hapur dhe me raste të shumta, por përfundoi me nga një gol në secilën portë.

Levendi jep shkëndijën e parë që në sekondën e 35-të, por fluturon Bekaj. Vetëm pak minuta më vonë nha pasiguria e Cakës në dalje nuk arriti të përfitonte Grent Halili, që nuk u koordinua si duhet në goditjen me kokë.

Në të 16-ën humbi një rast flagrant Taulent Seferi, që përballë Cakos, nuk ia doli ta dërgonte topin në rrjetë. Minuta të mira për Tiranën, me Danson që shkaktoi panik në zonën e vendësve, por u bllokua nga mbrojtja (17’). Pa u mbushur gjysmë ore lojë, Najdovski tentoi nga distanca, duke vënë në vështirësi Cako.

Në limitet e kohës së rregullt të pjesës së parë bardheblutë fituan një 11-metërsh, që u shndërrua në gol nga Tualant Seferi.

Pjesa e dytë nisi më mirë për Apoloninë, që ia doli të kthente baraspeshën në minutën e 51-të me Vasilin, që shfrytëzoi një moment pasigurie të bardhebluve.

Tirana nuk mund të pajtohej me rezutatin, ndaj ushtroi presion për golin e fitores, që nuk e gjeti në minutat e mbetura edhe pse i pati shanset me Halilin në të 55-tën dhe Beshirajn në minutat shtesë, ndërsa fierakët nuk arritën ta shfrytëzonin mundësinë e mirë që iu dha në të 85-ën me Smaçin.

Sfidat e fundit për Tiranan dhe Apoloninë luhen vetëm për statistike, pasi bardheblutë edhe nëse fitojnë me Skënderbeun nuk mund të shkojnë më lart se vendi i pestë, ndërsa fati i Apolonisë, që do të luajë sezonin e ardhshëm në të parën është pësuar prej shumë javësh.

This image has an empty alt attribute; its file name is tiran-aapoloni.jpg

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *