• Wed. Dec 1st, 2021

AL2

…është media jote

Sali Berisha padit Sekretarin Amerikan të Shtetit pas shpalljes “non grata”: Vendim i pazakontë e shpifës!

Byadmin

May 20, 2021

Në konferencën e jashtëzakonshme për mediat ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se do të ngrejë padi ndaj sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken, duke e akuzuar atë për shpifje në lidhje me vlerësimet e dhëna një ditë më parë. Berisha deklaroi se ka udhëzuar avokatin e tij në Francë që të ngrejë padi ndaj Sekretarit Blinken për shpifje publike, nga Gjykata e Parisit.

“Jam këtu për t’iu informuar për një vendim të pazakontë. Për arsye që janë tërësisht të pa njohura për mua, Sekretari Amerikan i Shtetit ka publikuar dje në mënyrën më të papritur, më shpifëse vendimin. Dua të theksoj se që kur kam filluar jetën time politike, por ju garantoj se që kur kam prekur rrogën e parë në borderonë e shtetit, e deri dje, nuk ka njeri në botë që mund të thotë se unë jam apo kam qenë i implikuar në një aferë të cfarëdoshme korruptive. Prandaj dhe unë kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral dhe të respektuar, sic është Franca, që të ngrejë ndaj z. Blinken një padi direkte për shpifje publike nga Gjykata e Parisit”, tha Berisha.

Ish-kryeministri po ashtu është pyetur nga gazetarët në lidhje me akuzat e bëra për pronat e dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi. Berisha tha se Malltezi i ka pronat e trashëguara nga gjyshja. Ndërsa për rolin e ish-ambasadorit amerikan Donald Lu në përfundimet e DASH, deklaroi se nuk ka dijeni. Më tej u shpreh se grupi parlamentar i PD-së nuk ka lidhje me këtë çështje, duke shtuar se është ai që do të vendosë në vend dinjitetin e tij dhe se shpalljen “non-grata” nga SHBA ndaj tij dhe familjes e konsideron cënim të dinjitetit.

Berisha ritheksoi se për të me rëndësi janë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, por më me rëndësi është dinjiteti njerëzor. Ndërsa pyetjes nëse do të lërë mandatin pas shpalljes “non-grata”, ai tha se nuk i është paraqitur asnjë fakt, duke shtuar se do të konsideronte çdo provë, por jo ato të montuara sipas tij në zyrën e kryeministrit Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *