• Wed. Dec 1st, 2021

AL2

…është media jote

Ankandi te Vllaznia, oferta më e madhe 1.3 milionë euro. Zbulohet shifra e 2 kompanive të tjera

Byadmin

May 12, 2021

Ankandi i shumëpritur për shitjen 100% të aksioneve të klubit Vllaznia ka nisur zyrtarisht dje, por për fituesin duhet pritur ende. Referuar ligjit të ankandeve, për të mësuar pronarin e ri të Vllaznisë duhet pritur të paktën edhe 17 ditë. Të martën në orën 10:00, biznesmenët që kanë shfaqur interes për të marrë pjesë në ankand, janë shfaqur në sallën e Këshillit Bashkiak.

Nga nëntë të interesuar zyrtarisht, vetëm tri kompani janë paraqitur në seancën e parë, pikërisht ajo që administrohet nga sponsori aktual i Vllaznisë, Alban Xhaferi, “Joni 5 sh.p.k” me përfaqësues Emiliano Zhupën, si dhe Almiro Gurakuqin. Biznesmenët e interesuar kanë paraqitur ofertat e tyre para komisionit, që do t’ua bëjë më pas publike të gjithë të pranishmëve. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se kompania “Joni 5 sh.p.k” ka bërë ofertën më të madhe për blerjen e klubit. Bëhet fjalë për një shumë prej 1.3 milionë eurosh.

Ndërkohë, sponsori aktual Xhaferi mësohet se ka ofruar rreth 625 mijë euro. Ndërsa kompania që përfaqëson Almiro Gurakuqi ka ofruar 575 mijë euro. Shifrat nuk janë zyrtare, por konfirmohen për gazetën nga burime konfidenciale. Tashmë ankandi pritet të nisë nga 1.3 milionë euro, si shifra më e lartë e ofruar. Gjasat janë që pas 7 ditësh të nisë procedura përfundimtare e shitjes së aksioneve. Tashmë kjo nuk nis nga çmimi fillestar prej 507 milionë lekësh të vjetër, i vendosur nga Bashkia Shkodër si autoriteti shitës. Tashmë ankandi nis nga çmimi më i lartë i dhënë nga tre ofertuesit e djeshëm. Kjo cilësohet si vlera dysheme për nisjen e shitjes së aksioneve. Normalisht do të fitojë kompania që do të japë vlerën më e lartë nga tre ofertuesit. Për të mësuar se kush do të jetë pronari i ri i klubit, do të pritet edhe 17 ditë të tjera. Gjasat janë që para finales së Kupës, Vllaznia-Skënderbeu, e planifikuar për më 30 maj në stadiumin “Elbasan Arena”, të mbyllet edhe ky proces jetik.

SQARIMI I BASHKISË

Bashkia e Shkodrës ka sqaruar dje se çfarë ndodhi në seancën e parë të zhvillimit të procedurës “Shitje me ankand të aksioneve të klubit të futbollit Vllaznia sh.a. në masën 100%”. “Në këtë fazë ishin prezent të gjithë anëtarët e Njësisë së Ankandit dhe subjektet e interesuara personalisht ose me përfaqësues. Dorëzimi i zarfeve të dokumentacionit të ofertuesve u administrua nga sektori i Protokollit në Bashkinë Shkodër në zbatim të afatit të përcaktuar, data 11.05.2021, ora 10:00. Në këtë seancë Njësia e Ankandit hapi dhe lexoi ofertat, në përputhje me nenin 35 të ligjit ‘Për ankandin publik’ dhe me përcaktimet në rregullat e ankandit publik si dhe bëri administrimin e dokumentacionit të subjekteve ofertues pjesëmarrës.

Të gjitha veprimet u shënuan në procesverbalin përkatës të zhvillimit të ankandit, ku u pasqyruan të gjitha dokumentet që shoqërojnë ofertën për secilin subjekt ofertues. Në procedurën ‘Shitje me ankand të aksioneve të klubit të futbollit Vllaznia sh.a. në masën 100%’ morën pjesë 3 subjekte ofertuese. Njësia e Ankandit vuri në dijeni përfaqësuesit e subjekteve ofertuese që më datë 19.05.2021, ora 10:00, do t’u komunikohet rezultati i vlerësimit të dokumentacionit ligjor dhe ofertës ekonomike”, citohej dje në njoftimin e Bashkisë Shkodër. Tashmë mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet, në një kohë që tifozët presin me ankth se kush do të jetë pronari i ri i klubit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *