• Sat. Dec 4th, 2021

AL2

…është media jote

Si u godit trajneri i Partizanit në Laç, pamjet e tensionit në tribunë dhe reagimi i tij: Nuk e kuptova…

Byadmin

Apr 29, 2021

Ilir Bozhiqi, krahu i djathtë i trajnerit Ilir Daja dhe zv.trajneri i Partizanit, është në qendër të vëmendjes pas një episodi të shëmtuar që ndodhi në Laç. Bozhiqi u godit me një shishe nga tribuna dhe iu desh ndihma e stafit mjekësor. Për situatën e krijuar, momentin kur ndodhi, gjendjen e tij shëndetësore e shumë të tjera, Bozhiqi foli për “Panorama Sport”, ku tregoi gjithçka.

Profesor, fillimisht, jeni mirë me shëndet?

Mirë jam, shumë faleminderit, tani jam mirë. Me pak dhimbje nga pjesa e djathtë, por pa probleme.

Si ndodhi profesor, pasi ju nuk jeni as një njeri që krijoni konflikte…?

Nuk e besoj se ishte nisur për mua, ishte një gjuajtje e tifozëve. Kur mbaroi pjesa e parë, po prisnim që të futej fillimisht një ekip që të futeshim ne. Isha duke pritur kolegët, nuk e pashë kur më gjuajtën.

Pse gjithë ky agresivitet në Laç sipas mendimit tuaj?

Nuk e kuptoj gjithë këtë presion, gjithë këtë agresivitet, sepse luhet futboll, nuk ndajmë toka. Luajmë futboll për të marrë pikët. Më e rëndësishme është të luhet futboll, e jo dhuna. Nuk është korrekte, por nuk kemi çfarë të bëjmë.

Është hera e parë gjatë karrierës suaj që ju ka ndodhur diçka e tillë? Mendonit se situata “e nxehtë” në Laç do të arrinte deri këtu?

Është hera e parë që më ka ndodhur një gjë e tillë. Nuk e mendoja se do të arrinte deri këtu, sinqerisht që nuk e mendoja. Nuk e di as motivin pse ndodhi, isha i papërqendruar. Nuk më erdhi aspak mirë. Kur mora goditjen, mendoja më të keqen. Në ato momente, e pashë bidonin që më goditi. Në momentin e parë, pata pak frikë, pasi më ra me pjesën e fortë të tapës, kishte dhe ujë brenda. Pjesa e tapës ishte ajo që më goditi.

Mendoni se mund të ketë pasur motive personale për atë goditje?

Nuk besoj të ketë motive personale. Unë personalisht nuk e mendoj se ka pasur ndonjë motiv. Nuk i mendoj këto gjëra që të ndodhin në futboll, nuk e di pse ndodhin. Ne jemi dy skuadra që luajmë për kampionat, kemi pasur gjithmonë rivalitet, por jo që të arrinte deri këtu.

Profesor, keni pasur telefonata nga persona të futbollit pas këtij incidenti?

Unë jam një njeri i futbollit, e dua futbollin. Dua të falënderoj të gjithë komunitetin e futbollit që më ka marrë në telefon dhe më kanë pyetur për shëndetin. Sinqerisht dua t’i falënderoj shumë. Flas për pjesën e futbollit, jam shumë i lumtur që e gjithë pjesa sportive, më kanë telefonuar.

Mendonit se mund të merrnit më shumë në Laç? A do t’ia dalë Partizani deri në fund për titullin kampion?

Sigurisht që e meritonim fitoren, kishim raste tepër të pastra. Mund të merrnim fitoren. Kështu e ka futbolli, por janë edhe gjashtë ndeshje shumë të forta deri në fund dhe jemi besimplotë për titullin kampion.

“Panorama Sport” ka arritur të sigurojë videon ekskluzive të pamjeve të tensionit në Laç, gjatë momentit të goditjes së Bozhiqit. Në këto pamjet, shihet tribuna e stadiumit e tejmbushur, teksa nuk mungojnë sharjet e shumta, drejt skuadrës mike të Partizanit.

Vlen të theksohet se pritej që sfida mes Laçit dhe Partizanit të ishte e tensionuar, për shkak se gjatë gjithë këtyre ditëve të fundit, ka pasur deklarata dhe akuza nga klubet kundër njëri-tjetrit.

Klubi i Laçit me shumë gjasa do të jetë pjesë e masave ndëshkimore të Komisionit të Disiplinës, për incidentin e ndodhur në përballjen ndaj të kuqve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *