• Fri. Dec 3rd, 2021

AL2

…është media jote

Super Liga pasoja për Shqipërinë, anëtari i ECA-s: Ja sa ndikon në klubet tona

Byadmin

Apr 20, 2021

Partizani pas rikthimit të titullit kampion pas 26 vitesh mungesë, në shtator 2019 u pranua si anëtar me të drejta të plota në ECA (Shoqata e Klubeve Europiane). Në asamblenë e përgjithshme të atij viti, ku edhe u pranuan, të kuqtë u përfaqësuan nga sekretari i përgjithshëm i klubit, Gerald Burba, i cili më pas ka marrë pjesë si për përfaqësues i Partizanit edhe në takime të tjera të kësaj shoqate. Përveç Partizanit, anëtare të ECA-s janë edhe Kukësi me Vllazninë. Më herët ka qenë pjesë edhe Skënderbeu, por që është përjashtuar pas ndëshkimit të rëndë që iu dha nga UEFA. Burba është një jurist me përvojë dhe i njeh mirë edhe “ligjet” e futbollit. Në cilësinë e anëtarit të ECA-s ai thotë se klubet iniciatore mund ta çojnë deri në fund nismën e tyre, por kjo do të kishte efekte dërrmuese për shumicën e klubeve të vogla, kryesisht nga vende me ekonomi të dobët. Gerald Burba shpjegon për “Panorama Sport” se përse Super Liga mund të prekë direkt edhe futbollin shqiptar dhe mund ta dëmtojë rëndë atë.

Ç’mendim keni për krijimin e “Super League”?

Lajmi për krijimin e Super Ligës Europiane sigurisht që do të ketë një impakt të rëndësishëm në futbollin europian. Është një nismë që qartësisht do të shndërrojë fytyrën e kompeticioneve të organizuara nga UEFA për klubet. Nëse deri më tani UEFA Champions League mban në mënyrë të padiskutueshme fronin e kompeticionit më prestigjioz në rang klubesh, me krijimin e Super Ligës Europiane kjo balancë mund të ndryshojë. Të mos harrojmë që nismëtarët e këtij kompeticioni të ri janë 12 klube që kanë fituar bashkërisht 99 trofe të rëndësishëm europiane dhe gëzojnë tifozërinë dhe shikueshmërinë më të lartë, jo vetëm në rang evropian, por dhe në atë global.

Çfarë efekti ka kjo, sipas jush, në futbollin europian?

Efekti i menjëhershëm i krijimit të këtij kompeticioni të ri të pavarur nga UEFA do të ndihet në financat e përfitueshme nga klubet pjesëmarrëse në UCL, UEL si dhe në kompeticionin më të ri, UECL. Me largimin e klubeve më prestigjioze nga këto kompeticione, natyrisht që edhe vlera e kontratave për të drejtat televizive dhe atyre të përfitueshme nga marketingu do të reduktohen ndjeshëm.

Po në Shqipëri çfarë efektesh mund të ketë?

Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në çdo kampionat tjetër në të cilin klubet varen thuajse në mënyrë jetike nga të ardhurat e kompeticioneve europiane, efekti do të jetë tepër negativ. Në vlerësimin tim fillestar në lidhje me këtë çështje, siç e thashë edhe më lart, UCL dhe UEL do të humbasin jo vetëm prestigjin e tyre si kompeticione, por edhe të ardhura marramendëse. Rrjedhimisht edhe të ardhurat që do të përfitojnë klubet e vogla do të jenë goxha të reduktuara. Këto janë çështje që do të shihen më qartë në vijimësi, por sipas meje fatkeqësisht futbolli që njohim nuk do të jetë më i njëjti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *