• Wed. Dec 1st, 2021

AL2

…është media jote

Partizani përmbys Kastriotin, Tirana dhe Kukësi ndane në ‘paqe’

Byadmin

Apr 17, 2021

Partizani merr komandën e Superiores, të paktën për një ditë, falë fitores 3-1 me Kastriotin në “Air Albania”. Një sukses me përmbysje, por jo me pak vuajtje i të kuqve, që ndoshta nuk e kishim menduar që krutanët do të futeshin në fushë me një strategji sulmuese, aspak si inferiorë, edhe pse diferencat në cilësi janë të dukshme.

Me fat futbollistët e Kastriotin në minutën e katërt. Një top rokambolesk, pasi përplaset në këmbët e Belicës, shtyhet drejt portës nga Daci e për çudinë te të gjithëve përfundon brenda vijës fatale, 0-1.

Një gol i shpejtë dhe i papritur nga skuadra e Ndreut, që jo vetëm nuk u mbyll në gjysmëfushë e saj, por i befasoi të kuqtë, të cilëve iu deshën minuta të tëra për të fituar kthjelltësinë në manovrën sulmuese.

Në të 12-tën tjetër tentativë e miqve, këtë radhë me Patrik Bardhin, që përfundon në duart e Hoxhës. Partizani e ktheu baraspeshën në rezultat në minutën e 30-të me një finalizim të pabesueshëm të Esin Hakajt. Mbrojtësi shkodran lëviz bukur drejt zonës dhe pas një kombinimi të zgjuar mes Çinarit dhe Bardhit shkarkon të majtën, me topin që përfundoi atje ku nuk mund ta arrinte Hidi. Për anësorin e majtë ky ishte goli i parë me fanellën e Partizanit dhe i dyti në Superiore, pasi të parin e ka realizuar kur luante me Teutën.

Kastrioti futet në fushë me ambicie në pjesën e dytë. Në minutën e 59-të Henry Okebugwu vuri në provë Alban Hoxhën me një goditje nga distanca, paksa prirët me portën, ndërsa dy minuta më vonë Stenio Junior nuk i dha këndin e duhur topit me kokë pas krosimit të Bardhit, duke shpërdoruar një mundësi të mirë për Partizanin. Sërish Junior u gjend sërish një pozicion të volitshëm në të 64-tën, por goditja e tij e fortë përfundon jashtë.

Braziliani nuk mund të gabonte në të 75-tën, teksa nuhati një krosim nga e majta, duke sulmuar shtyllën e parë, për të shënuar një gol me shumë peshë për Partizanin, 2-1.

Të kuqtë mbyllën llogaritë me Kastriotin pesë minuta para përfundimit të kohës së rregullt me golin e Jasir Asanit, që e pati të lehtë ta dërgonte topin në rrjetë i shërbyer me thembër nga Çinari, që në ato momente kishte detyruar Hidin të dilte nga porta.

Sapo nisi koha shtesë, Ermir Rezi detyroi Alban Hoxhën të kryente një pritje të vështirë, ndërsa minutat e mbetura u administruan nga të kuqtë, që nuk e lejuan kundërshtarin të rihapte takimit. Përfundimisht 3-1 në “Air Albania”, rezultat që ngjit skuadrën e Ilir Dajës në krye me 50 pikë, një më shumë se Teuta, ndërsa Kastrioti mbetet i përfshirë në garën për mbijetesë.

Ndërkohë në “Elbasan Arena“ ndeshja mes Kukësit dhe Tiranës është mbyllur në barazim 2-2. Ekipet ndahen në paqe, por duke dhuruar një spektakël golash në fushë. Kale përmbysi shifrat në 1-2 pak minuta përpara përfundimit të takimit me anë të një goli spektakolar.

Por e mënjehershme ka qenë përgjigja nga kapiteni i verilindorëve, Ibraimi. Ky i fundit i tregon të gjithëve arsyen përse cilësohet si një luks për kampionatin tonë, teksa shkund rrjetën me një perlë nga goditja e dënimit dhe vulos kështu fatin përfundimtar të takimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *