• Thu. Dec 2nd, 2021

AL2

…është media jote

Marku nuk ndalet: Obanor më pështyu gjatë ndeshjes…

Byadmin

Apr 15, 2021

Një episod i shëmtuar u regjistrua në fundin e ndeshjes mes Vllaznisë dhe Laçit e cila përfundoi me rezultatin 1-0. Futbollistët e të dyja skuadrave u përshinë në një sherr masiv pas vërshëllimës së gjyqtarit Juxhin Xhaja, por protagonist u bë mbrojtësi i Laçit, Erhun Obanor, i cili u tradhtua nga nervat, duke bërë një ndërhyrje horror në stil “kung fu”, ndaj mesfushorit të Vllaznisë, Herald Marku.

“Panorama Sport” siguroi edhe foto, ku në trupin e Markut shihen shenjat e takave pas goditjes së Obanorit. Mbrojtësi i skuadrës kurbinase rrezikon një dënim shembullor nga Komisioni i Disiplinës, pas këtij veprimi të shëmtuar antisportiv. Fatmirësisht, sherri mbeti i lokalizuar, pasi futbollistët dhe stafet e të dyja kampeve nuk u përfshinë në rëndimin e situatës, por në uljen e gjakrave. Madje, në fund shikohet edhe shoku i skuadrës te Laçi, Albion Marku, që i bën thirrje Obanorit të ruajë qetësinë si dhe duke i kërkuar edhe llogari për veprimin e bërë, që mund të ndikojë shumë te kurbinasit në vijim, pasi ai pritet të dënohet. Në momentin që skuadra e Laçit ka dalë nga stadiumi, Obanor është shoqëruar me forca të shumta policie, por nigeriani nuk ka ngurruar që të provokojë edhe ata pak tifozë që ishin vendosur jashtë stadiumit. Në drejtim të tij nuk kanë munguar të sharat në momentin që ai u ka treguar atyre gishtin e mesit.

SQARIMI I MARKUT

Lojtari që e pësoi nga ky sherr, Herald Marku, në një prononcim të shkurtër për “Panorama Sport” tregoi versionin e tij të përplasjes me mbrojtësin e Laçit, Erhun Obanor. “Isha i shtrirë për tokë në ato momente pasi kërkoja një faull në drejtim timin, por gjyqtari i ra bilbilit. Në atë moment mbi kokën time ishte Obanor që foli në anglisht duke thënë se duhej vijuar loja. I thashë që gjithçka ka përfunduar, ai më pështyu dhe më pas edhe më goditi me shkelm në shpinë. Në fushë, me sa duket, bëhen të gjithë trima. Më pas s’e di çfarë ngjau, por shkova te shokët që po kapeshin me lojtarët e tjerë”.

PAS POSTIMIT TË OBANORIT

Herald Marku, pas postimit të Obanorit, i është kundërpërgjigjur mbrojtësit nigerian, kësaj radhe me anë të një postimi në profilin e tij në rrjetet sociale. Ja kundërpërgjigjja e Markut për Obanorin: “Frika nga dënimi për atë gjest antisportiv çon drejt justifikimit. Është një shpifje e ulët dhe e neveritshme, shumë larg edukatës sime. Përveç dhunës në fushë kërkon të nxisë nëpërmjet rrjeteve sociale urrejtje me motive raciste me shpifje pa asnjë fakt të besueshëm. Nuk kam pasur asnjë dialog gjatë ndeshjes me lojtarin e Laçit. Asnjë fjalë të vetme. Mesfushor qendre, kam qenë çdo moment pranë arbitrit kryesor. Gjatë gjithë karrierës sime kam demonstruar vetëm respekt për çdo kundërshtar. Të gjitha pamjet filmike mund të tregojnë shumë qartë. Falënderoj të gjithë miqtë, shokët e mi dhe ndjekësit që me mesazhet dhe telefonatat janë interesuar për shëndetin tim”.

No photo description available.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *