• Sat. Dec 4th, 2021

AL2

…është media jote

Vllaznia 1-0 Laçi/ Brdaric: Jemi kthyer më të fortë! Duro: Vllaznia vonoi lojën!

Byadmin

Apr 14, 2021

I lumtur Thomas Brdaric për kualifikimin e Vllaznisë në finale. Në mikrofonin e Supersport trajneri i shkodranëve, foli me superlativa për paraqitjen e skuadrës së tij ndërsa shtoi se Vllaznia në rrugën e duhur për ta mbyllur në mënyrën më të mirë këtë sezon.

“Jam shumë i lumtur për klubin, tifozët, ekipin që e meriton këtë moment. Kemi punuar shumë, kemi mësuar nga e shkuara kur patëm një krizë dhe kjo na bën ndryshe. Duhet të qëndrojmë së bashku jo vetëm në momente të mirë, por edhe në momente të vështira. Jam i lumtur për kualifikimin në finale”.

“Me punë dhe me stafin do t’i mbajmë me këmbë në tokë. Suksesi nuk ka ardhur direkt, nga puna e sotme për nesër. Ka ardhur gjithçka kaq shpejt për shkak të investimit që kemi bërë. E kam thënë se duhet përqendrim dhe të jemi të qetë. Ramë poshtë, mbijetuam dhe tani jemi kthyer më të fortë. Rruga është vetëm drejt”.

“Kupa apo kampionati? Deri tani kemi fituar, pasi të gjithë thonin që nuk mund të bëjmë asgjë. Kemi kapur avantazhin dhe tani jemi hedhur në sulm. Askush nuk ka besuar tek ne në fillim”, shtoi trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric.

“Nuk jemi vetëm 11 lojtarë. Të gjithë luajtën mirë, bënë presing dhe ndoshta sulmi u lodh. Patën mundësi dhe u detyruam t’i zëvendësonim. Ata ishin mirë në ndeshjen e sotme”.

Laçi doli nga gara në Kupën e Shqipërisë. Kurbinasit humbën në Shkodër me Vllazninë dhe tani duhet të fokusohen në kampionat dhe mbi të gjitha të kalojnë këtë moment negativ. Trajneri Shpëtim Duro, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport tha:

HUMBJA- Më vjen keq për momentin e golit, po luanim mirë deri në atë moment. Ishte e pafalshme ajo vendosje. Luanim në transfertë, kjo gjë i jep zemër skuadrës kundërshtare dhe na krijon probleme edhe ne. Duhet të gabosh që të humbësh, ky është futbolli. Parashikova një ndeshje që mund të shkonte edhe në shtesë. Kjo ishte arsyeja pse aktivizova në pjesën e dytë Mazrekajn dhe Harmon.

VENDOSJA E SKUADRËS- Më erdhi keq që u ndëshkuam në atë situatë, nuk na falet, unë e di kush e ka përgjegjësinë. Të vjen keq, pjesën e dytë patëm më zotërim loje. Kishte momente që u bë lojë e mërzitshme. Shikoja një skuadër si Vllaznia, duke simuluar, duke rënë në fushë dhe duke ulur ritmin. Në pjesën e dytë kishim epërsi ndaj kundërshtarit, jo se krijuam shumë raste.

KARTONËT E SHUMTË- Në pushim kam kritikuar ata që gabuan. Më shqetëson problemi i kartonëve. Skuadra ka një farë nervozimi dhe tensioni që e shpreh në fushën e lojës. Kisha frikë për Mustën dhe Lushkjan, mos ndëshkoheshin me karton të kuq, po të jesh me 10 veta përfundon gjithçka. Kemi pasur probleme këtë javë, skuadra s’ka qenë e plotë. Sot aktivizova 17-vjeçarin Bytyçi. Duhet ta komplimentoj, e justifikoi prezencën e tij”, u shpreh Duro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *