• Wed. Dec 1st, 2021

AL2

…është media jote

11 fitore radhazi! Inter prek Scudetton! (VIDEO)

Byadmin

Apr 11, 2021

Inter vijon të fitojë dhe të vrapojë drejt titullit kampion, pasi ka triumfuar me rezultatin minimal 1-0 ndaj Cagliarit, duke regjistruar suksesin e 11 radhazi, që e mban plot 11 pikë larg Milanit të vendit të dytë.

Të vetëdijshëm për situatën e vështirë në renditje dhe mbi të gjitha për forcën e kundërshtarit, sardët kishin ardhur për t’u mbrojtur me forca të shumta, me shpresën që do të mund të marrin qoftë edhe një pikë në “San Siro”.

Por pavarësisht rreshtimit të ngjeshur mbrapa, Interi arriti të kërcënojë në pjesën e parë me një goditje nga distanca të Eriksen, dy raste me Sensin e Darmian dhe një gol të shënuar nga Sanchez, por i anuluar për pozicion jashtë loje.

Nga ana tjetër Cagliari bëri shumë pak për të vënë në vështirësi kapitenin zikaltër dhe kërcënoi vetëm me një gjuajtje të Nainggolan nga distanca, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej në barazim pa gola.

Image

Edhe 45-minutëshi i dytë pati të njëjtën tablo, me zikaltrit më kërkues dhe Cagliarin që mbrohej me forca të shumta, teksa portieri Vicari bëri dy pritje shpëtimtare ndaj Eriksen dhe Sensit, ndërsa në një moment e ndihmoi edhe traversa, pas një gjuajtjeje me kokë të De Vrij.

Sfida u zhbllokua vetëm në minutën e 77’, teksa pas një kombinimi Lukaku-Hakimi, marokeni shërbeu saktë për Darmian, i cili me portën e boshatisur shtyu topin në rrjetë, duke bërë që në kampin zikaltër të shpërthejë festa.

Image

Deri në fund Cagliari provoi të gjejë golin e barazimit, por nuk ia doli, ndërsa në anën tjetër edhe zikaltrit shpërdoruan disa mundësi për të dyfishuar, duke bërë që vërshëllima finale e arbitrit Paireto të linte në fuqi rezultatin 1-0.

Kjo është e 11-a fitore radhazi e zikaltërve në kampionat, duke qenë se kanë fituar të gjithë ndeshjet e fazës së dytë dhe kryesojnë me meritë me 74 pikë, 11 më tepër se Milani i vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe 8 javë deri në fund.

Nga ana tjetër Cagliari prek Serinë B, pasi kur kanë mbetur edhe 8 javë deri në fund të sezonit, e sheh veten në vendin e 18 me 22 pikë, plot 5 pikë mbrapa Torinos që është e fundit e zonës së mbijetesës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *