• Wed. Dec 1st, 2021

AL2

…është media jote

Dosja “Skënderbeu”: Ja shanset për klubin korçar për ti shpëtuar dënimit

Byadmin

Apr 9, 2021

Mundësia që Skënderbeu të rinisë një betejë ligjore nga e para mbetet e hapur. Kjo, pasi vetë klubi është ende në pritje të vendimit që do të marrë gjykata e Zvicrës për Ridvan Boden dhe një biznesmen shqiptar. Ish-ministri i Financave dhe biznesmeni kanë bërë padi ndaj dy ish-inspektorëve që hartuan raportin e Skënderbeut, me pretendimin se janë përmendur dhe janë akuzuar me pa të drejtë si njerëz të implikuar në trukime ndeshjesh.

Për këtë, Bode pretendon dëmshpërblim dhe ndëshkim për prishjen e imazhit. Më 26 janar të këtij viti Bode dhe një biznesmen shqiptar (nuk është raportuar emri nga mediat zvicerane) kanë bërë një kallëzim për shpifje dhe cenim të imazhit ndaj dy ish-inspektorëve të UEFA-s, Karl Dhont dhe Migel Lietard.

Nëse Bode e fiton gjyqin, kjo mund të shërbejë si precedent për Skënderbeun që të kërkojë që të rishikohet çështja. Po a është kaq e lehtë? A ekzistojnë mundësitë që kjo të realizohet? Duket e vështirë, por jo e pamundur. “Panorama Sport” kontaktoi me juristin e njohur, Eno Bushi, ish-kryetar i Komisionit të Disiplinës në FSHF. Arsyeja është e qartë: është një jurist që njeh me detaje edhe rregulloret sportive.

Bushi pohon se çështja është e komplikuar dhe duhen shumë elementë që Skënderbeu të mund të përfitojë nëse Bode ia del mbanë në betejën ligjore që ka nisur me dy ish- inspektorët e UEFA-s në Zvicër.

SHANSET PËR RISHIKIM PROCESI

Ajo që lë të kuptohet Eno Bushi është që nëse kemi të bëjmë me kallëzim penal ndaj dy ish-inspektorëve të UEFA- s dhe nëse Bode ia del të fitojë në gjykatat e Zvicrës, atëherë duhet patjetër që gjatë këtij procesi të dalin, apo të zbardhen detaje të tjera që mund të komprometojnë gjithë raportin e hartuar për Skënderbeun.

Ai e konsideron të vështirë edhe këtë variant dhe sqaron se ndoshta do të kishim pasur një situatë tjetër nëse Skënderbeu, krahas procesit sportiv që u zhvillua në disa shkallë, të kishte bërë vetë edhe një kallëzim penal. “Sigurisht, rishikimi njihet nga kodi i drejtësisë sportive, por ky është vetëm një element. Në rastin konkret, UEFA apo organet e tjera, nuk e kanë ndjekur penalisht çështjen e Skënderbeut në juridiksionin gjyqësor, qoftë në vendin tonë apo diku tjetër. Këtë linjë nuk e ka ndjekur as Skënderbeu si klub, por gjithmonë u janë referuar drejtësisë sportive.

Nga procesi që ka hapur Bode, mund të nxjerrin të dhëna në varësi të gjërave që dalin. Tashmë janë të detyruar ta provojnë pse e kanë përmendur Boden në raport, por nëse kjo nuk ekziston, atëherë mund të ketë një shpresë për rishikim. Por, në raport nuk është vetëm Ridvani. Ata mund të thonë: na fal se të kemi përmendur emrin, por mbetën këta të tjerët. Është diçka e koklavitur dhe me këtë lloj padie që është bërë, nuk besoj se do të ketë ndonjë element. Ishalla ka dhe këtë shpresojmë, por si jurist, duke parë llojin e gjykimit, më duket jashtëzakonisht e vështirë”, përfundoi Bushi, që prej dy dekadash është pjesë e komisioneve juridike të FSHF-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *