• Sat. Dec 4th, 2021

AL2

…është media jote

Vllaznia-Partizani/ “Rama ik”, në shkallët e “Loro Boriçit”. Drejtori i të kuqve largohet i shqetësuar

Byadmin

Apr 6, 2021

Takimi mes Vllaznisë dhe Partizanit në “Loro Boriçi” pati disa momente pikante. “Panorama Sport” ju sjell pikantet nga kjo sfidë, që nisi fillimisht me ankesa nga ana e të kuqve për shkak të barit të gjatë, për të vazhduar më pas me ceremoninë për Rragamin dhe me një minutë heshtje në nder të ish-kryeministrit Bashkim Fino, që ndërroi jetë pak ditë më parë.

ANKESAT

Ndeshja mes Vllaznisë dhe Partizanit ishte një ndeshje ku të dyja ekipet kërkuan me çdo kusht fitoren, por që në fund të 90 minutave u kënaqen me pikën e marrë pas barazimit pa gola 0-0. Para ndeshjes, drejtuesit e Partizanit kanë pasur ankesa për gjendjen e fushës në “Loro Boriçi”.

Drejtuesit e të kuqve kanë shkuar te delegati i ndeshjes dhe janë ankuar se bari është shumë i gjatë. Për këtë foli edhe sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferi, i cili u shpreh se nuk është në dijeni të kësaj, duke shtuar më tej se u kishte kërkuar punëtorëve të stadiumit që fusha të ishte në gjendje optimale. “Nuk jam në dijeni të kësaj gjëje. U kam kërkuar punëtorëve që fusha të jetë në gjendje optimale”, tha Xhaferi.

PIKANTET

* Kapiteni Gurishta mungoi për shkak kartonësh, por para ndeshjes ishte në përkrahje të ekipit, duke qenë madje në tunel dhe dhënë kurajë për shokët në momentin e daljes në fushë.

* Takimi fillon me një ceremoni të shkurtër për nder të Mjeshtrit të Madh, Ramazan Rragami, që pikërisht ditën e shtunë, festoi 77-vjetorin e lindjes, një nga emrat që ka qenë pjesë e të dyja skuadrave që u përballën mes tyre, Vllaznisë e Partizanit. Për këtë personalitet dhe njëherësh anëtar i këshillit mbikëqyrës të klubit të futbollit Vllaznia, klubi kishte vendosur t’i bëjë disa dhurata.

* Takimi fillon me një minutë heshtje në nder të ish-kryeministrit Bashkim Fino. Ekipi i Partizanit doli në fushë me një fanellë të bardhë, me portretin e Bashkim Finos.

* Tifozëria shkodrane e grupimit “Power 12” e ka shijuar takimin nga jashtë stadiumit, duke përshkruar gjithë perimetrin e tij dhe duke i dhënë një mbështetje ekipit të tyre përgjatë gjithë takimit.

* Ata pak të pranishëm që ishin në shkallët e “Loro Boriçit”, nuk kanë lënë pa përmendur edhe shprehjen “Rama ik”, por kësaj here nuk e kanë pasur me kryeministrin Edi Rama, por me drejtorin sportiv të të kuqve, Olsi Rama, vëllai i kryeministrit.

* Largohet mjaft i shqetësuar dhe menjëherë nga dhomat e zhveshjes drejtori teknik i ekipit të Partizanit, Olsi Rama, i cili nuk dukej i kënaqur me rezultatin e takimit.

* Pavarësisht nga rivaliteti mes dy ekipeve, ajo që bëri shumë përshtypje jashtë fushës së lojës ishte përshëndetja dhe përqafimet mes drejtuesve dhe lojtarëve të dy skuadrave./PanoramaSport

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *