• Mon. Nov 22nd, 2021

AL2

…është media jote

Vllaznia 0-0 Partizani/ Brdaric: Era na pengoi të bënim lojën tonë! Daja: Na mungon një qendërsulmues tipik

Byadmin

Apr 3, 2021

Trajneri i Partizanit, Ilir Daja u shfaq i kënaqur me barazimin e marrë në Shkodër ndaj Vllaznisë, teksa në intervistën e dhënë për “Gol pas Goli” pranoi se i mungon një qendërsulmues që të dërgojë topin në rrjetë dhe të krijojë hapësira për të tjerët.

A ishte barazimi rezultati më i drejtë i këtij 90-minutëshi?

Erdhëm në Shkodër për të respektuar Vllazninë për atë që ka bërë deri tani dhe ashtu bëmë. Në pjesën e parë ishim mirë dhe duhej të kishim gjetur një gol me rastet e krijuara, për të pasur më shumë qetësi. Ndikoi pak edhe era e fortë në ndërtimin e aksioneve, ndërsa në pjesën e dytë ulëm pak ritmin, por jo kontrollin e lojës, pasi nuk rrezikuam thuajse asgjë.

Si asnjëherë më parë, keni regjistruar 11 barazime…

Teuta që mori kreun ka arritur 13 barazime këtë sezon, por ju nuk merreni me të tjerët. Ky është një sezon anormal, me intensitet të lartë dhe me kalendar të ngjeshur ndaj disa barazime më tepër qëndrojnë. Ne nuk erdhëm për barazim në Shkodër, por ky rezultat ndaj Vllaznisë qëndron dhe nuk është dramë.

Duket sikur Partizanit i mungon një sulmues goli, për të konkretizuar rastet…

Nuk janë vetëm lojtarët e sulmit, por edhe mesfushorët që duhet të shtyjnë në zonë dhe të provojnë të shënojnë. Bardhi dhe Murataj duhej të shtynin më shumë në zonë sot, por nuk e bënë mjaftueshëm këtë detyrë, megjithatë duhet të rregullojmë disi pasin e fundit, për të krijuar mundësi të pastra.

Dolët disa herë në sulm, por munguan lëvizjet për të hapur zonat. Çfarë nuk shkoi?

Është pak e vështirë, pasi të gjithë sulmuesit tanë, janë anësorë dhe nuk i njohin mirë lëvizjet e një qendërsulmuesi natyral. Sot kemi përdorur të gjithë potencialin tonë sulmues, por që na mungon një futbollist që të bëjë lëvizjet e duhura në zonën kundërshtare.

A do të bënit sërish të njëjtat zgjedhje nëse do të ktheheshit pas në janar?

Merkatoja e janarit nuk është se të ofron shumë hapësira. Ne vinim nga një merkato e bllokuar në verë, ku nuk arritëm të afronim lojtarët e piketuar, megjithatë po sakrifikojmë shumë për të bërë mirë.

Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdaric u shfaq i kënaqur me paraqitjen e të tijve ndaj Partizanit, por theksoi se me pak më shumë qetësi para portës, mund të kishin marrë tre pikët ndaj të kuqve.

Sa ju kënaq ky barazim?

Luajtëm për të fituar, por në pjesën e parë vuajtëm shumë për shkak edhe të erës, që favorizoi shumë Partizanin. Më pas reaguam dhe krijuam rastet tona, por nuk ia dolëm të shënojmë.

Skuadra gaboi shpesh në zgjidhjen e situatave të rrezikshme…

Ne i lëmë lojtarët tanë të lirë të luajnë në fushë dhe sot bëmë të njëjtën gjë, por të luash me Partizanin është e vështirë. Edhe sot krijuam raste, por nuk arritëm të shënojmë, gjithsesi diçka e tillë mund të ndodhë.

A jeni i kënaqur me një pikë, duke qenë se sidomos në pjesën e parë partizani u shfaq superior?

Nuk jam dakord që Partizani ishte më mirë në pjesën e parë. Pati epërsi territoriale, pasi kishte erën në favor, por edhe ne patëm rastet tona.

Sa u ndje mungesa e Gurishtës sot?

Gurishta është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, por sot nuk ishin as ai dhe as Imami, ndaj unë nuk dua të flas për ata që mungojnë. Flas për ata që luajtën dhe jam i kënaqur me atë që bënë në fushë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *