• Thu. Dec 2nd, 2021

AL2

…është media jote

Qeveria i hoqi pasaportën diplomatike, reagon De Biasi: Mos duan t’u kthej edhe “Urdhrin e Skënderbeut”?!

Byadmin

Apr 2, 2021

Xhani De Biazi është një tjetër shqiptar që preket nga vendimi për të dorëzuar pasaportën diplomatike brenda datës 1 qershor. Italiani ishte trajneri i Shqipërisë në “Euro 2016” dhe pas kualifikimit historik, u pajis edhe ai së bashku me skuadrën me pasaportë diplomatike. Kërkesa e fundit e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për të dorëzuar dokumentin brenda datës 1 qershor 2021 e ka kapur në befasi dhe ai nuk e fsheh trishtimin për situatën e krijuar së fundmi. “Më duket absurde. Pasaporta ime diplomatike skadon në vitin 2026, pse duhet ta dorëzoj 5 vite më parë?”, thotë ai ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Më tej ka folur edhe për situatën e tij në krye të skuadrës së Azerbajxhanit dhe për rezultatet e fundit të Shqipërisë.

Mister, a e dini që duhet të dorëzoni pasaportën diplomatike që keni marrë në vitin 2016 në Shqipëri?

Jo, nuk e di. Më duket e çuditshme. Absurde madje. Nuk shoh asnjë motiv për ta bërë këtë.

Një shkresë e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë ka mbërritur në zyrat e FSHF-së dhe kërkohet që të dorëzohen pasaportat diplomatike brenda datës 1 qershor 2021, pasi mbaron vlefshmëria e tyre…

Më habit kjo gjë. Së pari duhet të saktësoj se unë nuk kam marrë asnjë njoftim zyrtar. Thjesht jam informuar nga mediat. Nëse do të ndodhte vërtet kështu, pa dyshim që ndiej keqardhje dhe jam i surprizuar me një vendim të tillë.

Gianni De Biasi me koment interesant për ndeshjen Kosovë – Shqipëri -  Lajmet e fundit - Zëri

Pse ju vjen keq?

Shikoni, dhënia e atij dokumenti (pasaporta diplomatike) është një shenjë mirënjohjeje apo vlerësim i shtetit kundrejt shtetasve të tij. Unë nuk kam bërë asnjë shkelje, as nuk ia kam njollosur kurrë imazhin e Shqipërisë diku, përkundrazi mendoj se kam punuar mirë për sa kohë isha aty dhe kam folur vetëm mirë për Shqipërinë sa herë që më është dhënë rasti. Kam vepruar kështu sepse këtë kam ndier, vetëm dashuri, respekt dhe mirënjohje nga Shqipëria dhe shqiptarët. Por, nëse tani më kërkojnë që ta kthej mbrapsht atë dokument, natyrisht që më lë një shije të hidhur. Nuk gjej motiv. Pse duhet ta kthej mbrapsht pasaportën diplomatike kur ajo skadon pas 5 vitesh? Më duket pa kuptim…

Nëse ju vjen zyrtarisht njoftimi, çfarë do të bëni?

Do të kërkoj shpjegime patjetër. Është një gjë që më bezdis shumë, sepse e konsideroj si një mirënjohje atë veprim dhe tani befas ma kërkojnë mbrapsht. Unë nuk i kam bërë asnjë dëm dhe asnjë të keqe Shqipërisë pasi mbarova kontratën e punës aty. Atëherë i bie që duhet të kthej mbrapsht edhe titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” që më është dhënë nga Presidenti i Republikës asokohe? Më thoni pak, a ka kuptim kjo…?

Włochy - Polska: Gianni De Biasi o reprezentacji Polski - Piłka nożna

Ministrja ka shpjeguar se bëhet fjalë vetëm për afatin e vlefshmërisë, porse statusi i fituar në atë Europian nuk do të preket, duke lënë të kuptohet se pasaporta mund të rinovohet…

Po jua përsëris edhe një herë: pasaporta ime diplomatike skadon në vitin 2026. Zakonisht ky lloj dokumenti kërkohet t’u rikthehet mbrapsht autoriteteve shtetërore kur personi që e disponon ka kryer shkelje ligjore apo ka njollosur imazhin e vendit të tij me veprime të ndryshme. Unë nuk kam bërë asnjë nga këto. Deri tani nuk kam asnjë njoftim, por nëse do të më kërkojnë vërtetë të dorëzoj pasaportën që më skadon pas 5 vitesh, pa dyshim që do të kërkoj shpjegime.

Si ju është dukur Kombëtarja shqiptare në këto tri ndeshjet e para kualifikuese?

Jam përpjekur të informohem sa mundem. Kanë fituar 2 ndeshje dhe kanë humbur me Anglinë. Mendoj që është brenda normales gjithçka. Megjithatë, gjithnjë ka vend për përmirësim në çdo skuadër sepse e mira nuk ka fund. Shqipëria ka lojtarë cilësorë dhe një trajner që po përpiqet të bëjnë gjëra të rëndësishme. Shpresoj që të kenë fat dhe të ngjiten sa më lart.

Me Azerbajxhanin keni koleksionuar disa humbje së fundmi. Është çështje fati apo edhe potenciali?

Pak nga të gjitha do të thosha. E kam shprehur publikisht se Azerbajxhani nuk e ka mundësinë që të marrë lojtarë të formuar në kampionate të forta si Shqipëria dhe kjo ka pa dyshim goxha peshë. Së dyti, grupi është realisht shumë i fortë sepse me Portugalinë dhe Serbinë, nuk është asnjëherë e lehtë. Së treti, edhe fati na ka munguar, pasi Portugalia na mundi me një autogol, ndërsa me Serbinë u thyem vetëm në fund të takimit. Megjithatë, unë shoh progres, është një skuadër që përpiqet vazhdimisht të përmirësohet dhe kemi besim për të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *