• Sat. Nov 27th, 2021

AL2

…është media jote

Arbitri i anuloi golin historik ndaj Anglisë, rrëfehet Demollari: Ju tregoj çfarë më tha arbitri…

Byadmin

Mar 27, 2021

26 prill 1989, mbrëmje tipike britanike, në Uembli, AngliShqipëri, minuta e 42-të, mijëra spektatorë në mitikun londinez do të heshtin. Në tabelën gjigante elektronike do të shkëlqejë fjala “Goal,Goal”, e nga zëri i telekronistit do të dëgjohet: “Demollari…what a terrific goal…”, e pas disa sekondash i befasuar: “…Është një gol i pavlefshëm…”, do të shprehej ai. Sa herë që vjen muaji prill, për Sulejman Demollarin janë dy ditë, njëra pas tjetrës, që e rikthejnë pas në kohë.

Emocionuese, të paharruara, tepër të rëndësishme për ish-mesfushorin, kapitenin dhe një ndër lojtarët më të shquar e popullorë të futbollit shqiptar, me klube dhe kombëtare. Një karrierë e nisur shumë i ri me Dinamon e Tiranës dhe e mbyllur bujshëm me atë të Bukureshtit. Pastaj trajner. Por ato dy data nuk i harron, madje i kujton me nostalgjisa herë që afrohet fundprilli. “Janë 26 e 27, ajo e vitit 1983 dhe e 1989-ës. Për ngjarjet që mbartin e kanë lidhje me karrierën time”, shprehet Demollari.

Ish-kapiteni që bënte art me topin, gjen kohën të sqarojë edhe përplasjen me Rudi Vatën, por gjithashtu largimin nga Kombëtarja kur në krye të FSHF-së erdhi Armand Duka. Demollari jep edhe një sugjerim për ndeshjen e së dielës, teksa mendon se Shqipërisë i duhen 11 lojtarë si Amir Abrashi në fushë për të ndalur “3 Luanët”.

Kur kujtojmë ndeshjet e Shqipërisë me Anglinë, nuk mund të harrohet ai gol i anuluar në mitikun “Uembli” në ndeshjen e vitit 1989, ku ju ishit protagonist…

Natyrisht që është diçka që nuk mund të harrohet kurrë. E kam parë dhe riparë shumë herë atë ndeshje, edhe pse vitet kalojnë. Ishte shumë e veçantë për faktin se luanim për herë të parë në Angli dhe për më tepër në një tempull si stadiumi “Uembli”. Kanë kaluar plot 32 vite, por e kujtoj shpesh atë ambient të jashtëzakonshëm dhe natyrisht golin e anuluar. Ishte një mëkat, që të mbetet peng për gjithë jetën.

Si e mbani mend atë gol dhe momentin kur anësori ngriti flamurin për pozicion jashtë loje në mënyrë absurde?

Në mos gaboj, rezultati ka qenë 2-0 për Anglinë, unë kontrolloj topin me shpinë nga porta jashtë zone e më pas kthehem dhe godas fort me të majtën. Topi shkon direkt në rrjetë dhe ishte një logjikë e lojës që po bëhej në ato momente. Për 4-5 minuta po qarkullonim mirë topin dhe afroheshim te porta e Anglisë me aksione që kishin ide të qarta. Unë shënova një gol, që nga ana teknike ishte një ekzekutim perfekt.

Nisët të festonit pikërisht në krahun ku ishte anësori norvegjez…

Po. Unë po shkoja në krahun e djathtë të fushës duke festuar, ndërsa lojtarët e Anglisë nxorën topin nga rrjeta dhe po shkonin për ta vendosur në qendër, pasi ishte e pakonceptueshme për t’u anuluar ai gol. Nuk kishte asnjë parregullsi që mund ta anulonte. Vrapimi im për t’u gëzuar përkoi edhe me pozicionin ku qëndronte anësori i dytë, i cili u bë shkas për anulimin. Aty u habita totalisht, si unë me ekipin, ashtu edhe anglezët. Në përfundim të ndeshjes, doktor Lluka Heqimi, i cili ishte pjesë e stafit të Kombëtares, pas ndeshjes takoi trajnerin e Anglisë, Bobi Robson. Në bisedë e sipër, Robson i thotë Llukës: “Të më kishte ndodhur mua ai anulim goli, nuk e di se çfarë do të bëja…! Ishte një çmenduri!”

31 vite nga goli i mohuar në Uembli, Demollari: Mbeta një natë pa gjumë

Ju kërkuat një shpjegim nga gjyqtari kryesor apo ai anësor në atë moment apo pas përfundimit të ndeshjes?

Shiko, kjo është një pyetje që ma bënë gazetarët anglezë edhe kur shkova si trajner i Shqipërisë në vitin 2001, pra një dekadë më pas. “Pse u anulua ai gol?”, më pyetën anglezët. Unë ju thashë që më mirë do të ishte që ju të pyesni vetë arbitrin për të sqaruar rastin. Mbaj mend ka qenë gjyqtar norvegjez. Unë shkova te kryesori dhe i thashë se pse u anulua. Ai menjëherë me rreptësi m’u drejtua: “Vazhdo lojën!” Ishte e pamundur të na jepnin shpjegime, nuk i afroheshe dot. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, këdo që kam pyetur, qoftë specialistë gjykimi apo ish-futbollistë ndërkombëtarë, të gjithë më kanë thënë se edhe VAR të kishte, nuk ka asnjë shans që ai gol të anulohej. Kjo nuk është hera e parë që i ndodh Shqipërisë me Anglinë. Kujtoni golin e Rrakllit në “Qemal Stafa” në vitin 2001. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në 2006-ën në Shqipëri-Holandë, ku mbrojtësi holandez shkaktoi autogol dhe arbitri e anulon pa arsye. Nuk dua të flas si tifoz, por që mund të kenë qenë edhe sugjerime nga UEFA. Nuk di si ta shpjegoj ndryshe…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *